00:03

Selimi paralajmëron se nëse bëhet ministër i Drejtësisë s’do të ketë veting në gjyqësor

Selim Selimi i AAK-së, i propozuar për ministër të Drejtësisë në qeverinë Hoti, ka paralajmëruar se nëse ai merr këtë detyrë, nuk do të lejohet të bëhet veting në sistemin gjyqësor.

Sipas tij, gjyqësori ka qenë i kontrolluar nga faktori ndërkombëtar deri tash “dhe krijimi i një mekanizmi të ri do të ishte gabim”.

“Jam i nominuar për ministër të Drejtësisë në qeverinë në ardhje Hoti. E kam përcjellë me interes të veçantë çështjen e vetingut. Pozicioni jonë është që vetingu në sistemin gjyqësor ka qenë i kontrolluar nga ‘99-a deri para dy vjetësh nga faktori ndërkombëtar e ky veting apo pranimi i hulumtimit të së kaluarës ka ndodhur nga një institucion objektiv dhe i pavarur ndërkombëtar. Tentativat për të krijuar mekanizma të rinj që kanë për tendencë vënien në kontroll të sistemit gjyqësor është absolutisht në kundërshtim me atë që qëndron AAK-ja. Ne kemi bërë të ditur në zgjedhje se politika duhet të mbajë duart larg gjyqësorit dhe prokurorisë. Nëse ekzekutivi krijon mekanizma që i keqshfrytëzon për të bërë kontroll të vendosjes së prokurorëve e gjykatësve mendoj se është gabim, por prapë rezervohem për të parë procesin që tashmë sa e di ka filluar nga ministrja në largim Haxhiu. Por qëndrimi jonë është se duke marrë parasysh se vetingu ishte në duar të mekanizmit objektiv, shteti s’ka nevojë të krijojë mekanizma të rinj për të çuar mesazh kontrolli”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do të anulojë nisjen e procesit të vetingut nga qeveria në detyrë, Selimi ka përsëritur se “s’di deri ku ka mbërri, por në parim si AAK jemi që politika të ketë duart larg gjyqësorit”.

“Qëndrimi jonë është që politika s’duhet të përzihet në prokurori e gjykata. Sepse çdo mekanizëm i ri bie ndesh me sistemin e kontrollit dhe balancës. Qasja dhe qëndrimi jonë është që gjyqësori të jetë plotësisht i pavarur. Ka mekanizmat e vet se si i zgjedh gjykatësit. Ka mekanizma të pavarur”, ka thënë tutje ai. “Vetingu duhet të shikohet. Qasja jonë e bindja jonë është që duhet të punojmë në pavarësim të gjyqësorit e jo krijim të mekanizmave për kontroll”.

23:49

Selimi arsyeton të propozuarit e AAK-së për ministra që kanë aktakuza

Selim Selimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është propozuar të jetë ministri i Drejtësisë në Qeverinë Hoti, në Interaktiv të KTV-së, ka arsyetuar ministrat e përfolur të kësaj partie. Në mesin e tyre, janë edhe Meliza Haradinaj e Blerim Kuçi.

“Kemi hyrë në koalicion me mirëbesim bashkë me LDK-në. Ka qenë e rëndësishme të japim kontributin në resore që i kemi pasur edhe gjatë fushatës së 6 tetorit por edhe planprogramin tonë të AAK-së”, tha ai.

Selimi, tha se duhet të normalizohet marrëdhënia mes partnerëve qeverisës, në këtë rast LDK-AAK.

Besnik Tahiri do të jetë zvkryeministër, Blerim Kuçi- Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Meliza Haradinaj - Ministre e Jashtme, Selim Selimi- Ministër i Drejtësisë dhe Ramë Lika – Ministër i Arsimit.

Blerim Kuçi është i dënuar me burgim për një rast. Por, Selimi tha në Interaktiv se ai ka qenë dënim administrativ.

“Ai nuk ka pasur aktakuzë, ka qenë dënim administrativ. Kuçi ka bërë zgjedhje për të mos dëshmuar. Ai me vetëdije të plotë e ka pranuar zgjedhjen e tij”, tha ai.

Edhe Meliza Haradinaj është dënuar me 8 muaj burgim me kusht për mosdeklarim të pasurisë, ose deklarim të rrejshëm të pasurisë.

“Rasti saj është në gjykatë, ajo e ka sqaruar në Facebook. S’kam komente”, tha ai.

Por kujtojmë se LDK-AAK, në marrëveshjen e tyre për bashkëqeverisje, në një pikë thonë “Mos të ketë figura të dënuara për vepra penale”.

“Shpjegimet që i dhashë e forcojnë normën e pikës 9 të marrëveshjes”, tha ai.

Edhe ministrat e kaluar të AAK-së kanë pasur aktakuza, por Selimi, tha se kanë pasur aktakuza më herët, e sipas tij, Haradinaj largonte nga detyra ministra që kishin aktakuza.

Selimi foli edhe për pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Kushtetuese ndaj mandatarit.

“Për ne ishte e qartë që Kushtetuta ishte në respektim. Kushtetuta e jep mundësinë që palët e pakënaqura të referojnë dekretin. VV-ja e bëri, për ne është legal, por ne qëndrojmë pas bindjes se procesi është në përputhje me kushtetutën e gjithashtu edhe dekreti. Andaj, vendimi do të ndodhë”, u shpreh ai.

Ai tha se “çfarëdo të jetë në fund vendimi i Kushtetueses, AAK-ja do ta respektojë”.

23:42

Selimi: Qeveria Kurti u rrëzua pas gabimeve të njëpasnjëshme

Selim Selimi nga AAK-ja ka thënë se Qeveria Kurti u rrëzua për shkak të “gabimeve të njëpasnjëshme në politikën e brendshme, por edhe në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Unë mendoj që Qeveria në largim ka rrëzuar veten me më shumë se 2/3 e votave të deputetëve. Vetë rrëzimi ka ndodhur për shkak të keqkalkulimeve politike, prishjes së partneritetit e parimeve mbi të cilat është bërë koalicioni dhe ka sjell veten në gjendje ku më shumë se dy të tretat e deputetëve ishin pro rrëzimit. Kjo ishte pasojë e veprimeve të njëpasnjëshme të gabueshme në shumë plane të brendshme, por edhe në relacion me partnerët tanë strategjikë, në veçanti me SHBA-në. Kur është procesuar mocioni, ne kemi përkrahur, sepse kemi menduar dhe kemi besuar se qeveria në largim, e më pas edhe u bindëm, se ka bërë hapa të gabueshëm. Bindjen e fituam kur u votua nga 2/3 e deputetëve”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se “duke qenë opozitë e duke konstatuar këtë keqqeverisje ishte e natyrshme të jemi pro mocionit të mosbesimit”.

Për marrëveshjen me LDK-në për bashkëqeverisje, Selimi ka thënë se ajo erdhi pas një letërkëmbimi mes krerëve të partive, e në të cilat ka thënë se janë shfaqur disa prej çështjeve të rëndësishme për AAK-në.

“Sa i përket marrëveshjes mes LDK-së, AAK-së e Nismës është marrëveshje që ka krijuar partneritet, erdhi pas një letërkëmbimi në të cilën LDK-ja ka kërkuar partneritetin me ne dhe më pas me të tjerët. Në atë letër ne kemi kthyer përgjigjen duke treguar vullnetin, por edhe duke numëruar disa prej çështjeve që për ne janë të rëndësishme. Ndër to ishte Autosrada e Dukagjinit e Anamoravës. Në marrëveshjen ku janë garantë kryetarët tanë, letërkëmbimi mes dy kryetarëve, është bazamenti i kësaj marrëveshje për partneritet. Kemi pasur takime, një gjë e cila e ka bërë punën më të lehtë është se jemi të dyja parti të qendrës së djathtë e i kemi të ngjashme qasjet ndaj menaxhimit të pandemisë. Kjo e qendrës së djathtë vije në theks kur flasim për sanimin e pasojave që ka lënë pandemia në ekonomi. Jemi marrë vesh të punojmë bashkë. Në letërkëmbim, por edhe gjatë takimeve kemi gjetur gjuhë të përbashkët edhe në politikat tjera si sociale, sundimit të rendit e të ligjit, çështje të sigurisë e të tjera. Si proces shkoi me mirëbesim të plotë”, ka thënë tutje ai.

Sipas Selimit, formula e ndarjes në qeverinë e synuar nga LAN-i u bë bazuar në fuqinë e partive në Kuvend.

23:29

Selimi: Qeveria në largim keqmenaxhoi luftën kundër pandemisë

Selim Selimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është propozuar të jetë ministri i Drejtësisë në Qeverinë Hoti, në Interaktiv të KTV-së e vlerësoi të mirë faktin se edhe në Kosovë e gjithë botën po bie numri i të infektuarve gradualisht, por, ka theksuar se janë kritikë ndaj qeverisë në detyrë sa i përket luftës kundër Covid-19.

“Kemi qenë kritikë ndaj qeverisë në luftën ndaj pandemisë, sepse disa prej veprimeve nga qeveria në largim, kanë qenë veprime që rrezikuan apo degraduan tërë qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë. Disa herë ka bërë hapa të rrezikshëm, sikur hapi me bashkëpunimin me Serbinë për testet”, tha Selimi.

Selimi nga AAK-ja, tha se qeveria në largim i janë nënshtruar Serbisë.

“Serbia ishte gjithçka përveçse humanitare”, u shpreh ai.

Ai tha se pati keqmenaxhim në konviktet e studentëve, ku futeshin ata që duhej të karantinoheshin.

“Ka mënyra më të mira të menaxhimit sesa çka ka bërë qeveria. Pas propozimit tonë për shpalljen e gjendjen së jashtëzakonshme, u shpërfaq hipokrizia e tyre”, tha Selimi.