Arbëri

Së shpejti lansohet një ueb-faqe për nxënësit me nevoja të veçanta

Edhe pse procesi mësimor nga distanca filloi disa javë, një pjesë e fëmijëve me nevoja të veçanta nuk janë duke ndjekur mësimin. Drejtues të disa shoqatave që merren me këta fëmijë, kanë thënë se mësimi online nuk po zhvillohet për nxënësit që janë në shkolla të rregullta, por vetëm për ata që janë pjesë e shkollave speciale.

Drejtoresha e shoqatës, “Down Syndrom Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, e konsideron të nevojshme që të lansohet edhe një platformë ku do të shfaqeshin materiale edukuese për fëmijët me nevoja të veçanta. Ajo ka treguar se fëmijëve që janë pjesë e shoqatës së tyre tash e disa javë kanë nisur t’u mbajnë seanca terapeutike.

Ndërkaq, drejtori i shoqatës “Autizmi”, Cenë Krasniqi, tha se institucionet do të duhej që fëmijëve me nevoja të veçanta t’u kushtonin më shumë rëndësi. Për t’ua lehtësuar prindërve, edhe shoqata që ai drejton filloi të japë instruksione se si të punojnë me fëmijët e tyre në këtë kohë pandemie, raporton KOHA.

Ministria e Arsimit përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se me përkrahjen e organizatës “Save The Children” do të lansojnë një ueb-faqe për mësimin e nxënësve me nevoja të veçanta, e cila do të jetë në kuadër të Platformës E-mësimi.

“Ueb-faqja do të ofrojë materiale pedagogjike, dokumente të ndryshme, video, fotografi, këshilla për mësimdhënës, asistent, prindër dhe fëmijë, dhe aktorë të tjerë relevantë”.

Sipas MASHTI-t, Qendra Burimore “Nënë Tereza” është duke ofruar mësim në distancë në gjuhën e shenjave për nxënësit me dëmtime në dëgjim. Ndërkaq, Qendra Burimore “Xheladin Deda”, është duke ofruar mësim për nxënësit e verbër dhe me të pamë të dobësuar, duke iu ofruar materiale në Brail, tekste, materiale e audio.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë, numri i nxënësve me nevoja të veçanta në arsimin parauniversitar, këtë vit shkollor është 4.252, prej tyre 3.903 në shkolla të rregullta dhe 349 në qendra burimore.