Mungesa e asistentëve nëpër shkolla, por edhe mungesa e logopedëve, pedagogëve dhe materialeve adekuate, janë vetëm disa nga problemet me të cilët ballafaqohen fëmijët me nevoja të veçanta në kryeqytet dhe në gjithë Kosovën.
Nevojë për qasjen ndaj këtyre fëmijëve po shihet edhe trajtimi i prindërve dhe mësimdhënësve, por edhe krijimi i një ambienti në klasë, ku gjithëpërfshirja mbizotëron dhe askush nuk diskriminohet.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati pohoi se ka mungesë të kushteve nëpër shkolla për fëmijët më nevoja të veçanta.
Sipas saj, për t’i përballuar kostot e larta për prindërit, janë punësuar 55 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta.
Gjithashtu, ajo tha se shkollat e Prishtinës janë të qasshme për fëmijët me nevoja të veçanta, ku secila shkollë ka dhoma të veçanta për të ndjerë fëmijët gjithëpërfshirjen dhe trajtimin e njëjtë.
Edhe
Musmurati: Në Prishtinë janë rreth 500 fëmijë me nevoja të veçanta e vetëm 15 asistentë
“Deri më tani nuk është që kemi pasur ndonjë raport që thotë që shkollat e Prishtinës nuk janë të qasshme për fëmijët me nevoja të veçanta, gati se secila shkollat kanë një dhomë të veçantë ku fëmijët mund të kalojnë kohë aty edhe pse ne e fuqizojmë konceptin e gjithëpërfshirjes që të mos trajtohen ndryshe por të shkojnë në klasë bashkë me bashkëmoshatarët e tyre dhe mësimin ta zhvillojnë në mënyrë të njëjtë. Ndërsa për çështja e karrocave shumica e shkollave kanë qasje për karrocë por nuk kanë lift, prandaj shumica e klasave për fëmijët që janë në karroca i ofrojnë mësimet në katet e para ku edhe fëmijët mund të qasen me karroce”, foli ajo.
Ndërkaq për fëmijët e prekur nga sindorma Down, Musmurati tha se janë duke e ndërtuar qendrën për shërbime shtesë për familjet që kanë nevojë për mbështetje, që të munden të krijojnë një ambient në klasë gjithëpërfshirës.
“Jemi duke ndërtuar qendrën e parë për sindromin Down në komunën e Prishtinës që do të fillojë punën shumë shpejtë dhe aty do të ofrojmë shërbime shtesë për të gjitha familjet që kanë nevojë për mbështetje, duhet të bëjmë më shumë në mënyrë që të rrisim edhe stafin që merren me fëmijë, të rritet numri i mësuesve mbështetës që të mund të ofrojmë më shumë shërbime për të gjithë fëmijët e Prishtinës, jemi në drejtimin e duhur në përgjithësi dhe duhet të bëjmë më shumë trajnime për mësimdhënësit që të dimë se si duhet të qasen dhe si duhet të krijojnë një ambient në klasë ku gjithë përfshirja mbizotëron dhe askush nuk diskriminohet”, përfundoi ajo.
Zëvendësdrejtori i shkollës fillore mesme të ulët “Dardania”, Nehar Shasivari tha se shkolla e tyre jep mundësinë e gjithëpërfshirjes, ku edhe mësuesit janë të trajtuar për fëmijët me nevoja të veçanta. Gjithashtu theksoi se shkolla ka nevojë për materiale adekuate për këta fëmijë.
Kurse, mësuesja mbështetëse Liridone Ukaj, tha se ka pengesa sepse puna me këta fëmijë është më e ndjeshme dhe kërkon një bashkëpunim me akterë të ndryshëm.
“Nganjëherë ka edhe pengesa që ndikojnë që të mos krijohet një gjithë përfshirje e plotë. Numri i nxënësve është një numër shumë i madh brenda klasës e pa mundëson që mësimdhënëset e rregullta të punojnë për shumë kohë më fëmijët me nevoja të veçanta.... Puna jonë është më e ndjeshme dhe kërkon një bashkëpunim të mirë, ne mes akterëve të ndryshëm duke filluar prej atyre që gjenden brenda shkollës, mësimdhënësit, psikologjia dhe stafi, mirëpo edhe akterët e jashtëm që është Qendrat Burimore, DKA-ja të cilët duhet të na ndihmojnë për të pasur sukses. Ka qenë një bashkëpunim i mirë me DKA-në ku edhe me Qendrën Burimore Përparimi sepse janë dy komponentë shumë të rëndësishme që e lehtësojnë punën shumë brenda shkollës... DKA-ja gjithmonë na ka ndihmuar me vlerësimin e fëmijëve, vlerësimi i tillë lehtëson shumë punën e mësimdhënësve. Do të donim të kishte më shumë trajnime për prindërit, mësimdhënësit për qasjen ndaj fëmijëve, të ketë më shumë materiale për fëmijët me nevoja të veçanta”, u shpreh ajo.
Edhe
Shkollat e Prishtinës denoncuan 99 nxënës në Polici për një vit
Sipas Ukajt, duhet punë sepse ka mungesë të logopedëve dhe pedagogëve, të cilët do ta lehtësonin punën e mësimdhënësve dhe fëmijët do të kishin më shumë sukses.
Sipas MASHTI-t, asistentë personalë duhet të kenë vetëm nxënësit me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta, të cilët nuk mund të qëndrojnë në klasë pa përkrahje të asistentit. Në Kosovë jetojnë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara apo 10 për qind e popullatës së përgjithshme./ KSP