Arbëri

Kurti emëron edhe dy këshilltarë politikë

Foto: Koha

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Nora Kelmendin këshilltare Politike për koordinimin e të drejtave pronësore si dhe Driton Tali, këshilltar politik për çështjen e koordinimit të SHERPA dhe zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u dakordua në Samitin e Triestës, korrik 2017.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Nora Kelmendi ka lindur në Pejë dhe është rritur në Prishtinë ku edhe ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, ndërsa studimet e magjistraturës i ka vazhduar në Maqedoni në drejtimin e menaxhmentit të përgjithshëm.

“Ajo ka ndërtuar një karrierë të bujshme në fushën e konsulencës, biznesit si dhe menaxhimit në përgjithësi. Ka punuar në shumë organizata ndërkombëtare dhe vendore si dhe në Komunën e Prishtinës, ku ka ushtruar pozitën e drejtoreshës së Drejtorisë së Kadastrit për 5 vjet me radhë. Puna e saj në këtë drejtori e ka bërë edhe më të vendosur e më të fortë në luftimin e korrupsionit në çdo nivel të shoqërisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq Driton Tali, sipas njoftimit, ka mbaruar studimet bachelor në vitin 1995, në Londër, drejtimin për Menaxhment dhe Financa, për të vazhduar në MBA (Financa) dhe DBA (Lidership), në Universitetin e Westministrit, gjegjësisht në Universitetin Hull.

“Nga viti 1996 punësohet në bankën ‘Lloyds’, në Londër, në sektorin e investimeve, si analizues. Kurse nga viti 2000 deri më 2004 ishte i punësuar në firmën inevstuese ‘Prime’, në Londër, si analizues senior i investimeve. Tani udhëheq biznesin privat. Dritoni i ka dy libra universitar të botuara në vitin 2001 ‘Integrimi i Europës në UE’ (e ribotuar me 2004 dhe 2007), dhe në vitin 2004 e ka të botuar librin ‘Ekonomia dhe Industria Financiare”, thuhet në njoftim.

Tali ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tretë (2007-2010).

Lexo edhe: 

Kryeministri Kurti emëroi Fëllanza Podrimjen dhe Elvis Hoxhën këshilltarë politikë

Kurti emëron Vraniqin këshilltar politik

Kurti emëron këshilltar të jashtëm politik, Durim Berishën

Kurti emëron shtetasin amerikan Tienmu Ma, këshilltar të jashtëm politik

Kurti emëron Bicin këshilltar politik dhe drejtor të Zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta