Një nga aferat më të përfolura në publik, afera “Pronto” ka marrë epilog të premten. Trajtimi i qindra përgjimeve ku janë të përfshirë zyrtarë të rëndësishëm të PDK-së të cilët dëgjoheshin duke biseduar për emërime në borde publike e institucione të tjera shtetërore, në gjykatë ka përfunduar me lirimin e të gjithë të akuzuarve.
“Koha Ditore” e ka përcjellë nga fillimi procesin gjyqësor. Ndërkaq koha.net ju sjell përmbledhjen e procesit gjyqësor. Përplasjet mes Prokurorisë dhe Gjykatës në këtë rast kanë qenë të shpeshta. Përfaqësuesja e hetuesisë e kryetari i trupit gjykues me shumë janë marrë me njëri tjetrin.
Diskutimet mes tyre shpesh kanë qenë me tone të larta zëri. Të gjithë akterët që kanë marrë pjesë në këtë gjykim kanë “shpejtuar” për të përfunduar me herët këtë rast në shkallën e parë të gjyqësorit. Trupi gjykues pati “ekonomizuar kohën” duke i konsideruar provat si të lexuara por që publiku është privuar nga përmbajtja e provave; Prokuroja e rastit, Drita Hajdari nuk ka propozuar dëshmitarë- në një nga seancat pati thënë se si “dëshmi” e ka bashkangjitur ligjin; shumica e të akuzuarve poashtu nuk patën propozuar dëshmitarë.
Kjo ka bërë që gjykimi që parashikohej si maratonik të përfundojë me disa seanca. Për rastin “Pronto” të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Rreth një vit me parë ka filluar trajtimin ky rast në gjykatë. Shumica e seancave janë shoqëruar me përplasje të prokurores se rastit, Drita Hajdarit me trupin gjykues. Në seancën e parë në këtë rast, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti nuk e kishte aprovuar kërkesën e prokurores Hajdari që të lexohej aktakuza. E kishte konstatuar në procesverbal “si të lexuar”. Për këtë arsye Hajdari pati kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues nga gjykimi i këtij rasti. “Kam përgatitur një kërkesë për shtyrje të seancës pasi kam paraqitur kërkesë për inicimin për hetim disiplinor në Zyrën e prokurorit disiplinor, për shkak të shkeljes së etikës si gjyqtar, dhe në një situatë të tillë nuk është e mundur dhe etike të vendoset në këtë proces derisa të vendoset për këtë ose deri të caktohet një gjyqtar tjetër siç kam kërkuar nga kryetarja e gjykatës”, pati thënë prokurorja Hajdari në një nga seancat e mbajtura në këtë proces.
Megjithatë kërkesa e Hajdarit ishte refuzuar. Polemikat mes “prokurores e trupit gjykues” vazhduan edhe në seancat e tjera. Hajdari pati këmbëngulur që të lexohen provat në seancën publike. Trupi gjykues pati marrë vendim që provat të konsiderohen si “të lexuara”. Një gjë të tillë e pati kundërshtuar Hajdari. Në këtë gjykim nuk janë dëgjuar fare përgjimet që janë baza e ngritjes se aktakuzës. “Me qëllim te racionalizimit të porcedurës penale ky trup gjykues morri vendim që këto përgjime të konsiderohen të dëgjuara”, pati thënë kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari nuk e pati parë të nevojshme që të propozoi fare dëshmitarë. Edhe pjesa dërmuese e të akuzuarve nuk kanë propozuar dëshmitarë. Nga shumë emra që janë përmendur në këtë aferë, të akuzuarit patën vendosur që të ftojnë vetëm dy dëshmitarë. Sejdi Hoxha e Hasan Ibraj kanë qenë të ftuarit e vetëm në cilësinë e dëshmitarëve në këtë gjykim. Por Hajdarit nuk i pati pëlqyer dëshmia e Hoxhës. E pati konsideruar “Kurrgjo hiç”. Hajdari ka konsideruar se dëshmia e Hoxhës është ‘kurrgjë hiç’. Në seancën ku Hoxhaj po dëshmonte me tone të larta pati hedhur akuza ndaj trupit gjykues se nuk po i trajton palët në mënyrë të barabartë ( v.j prokuroren dhe të akuzuarit). Ajo pati thënë se një orë është dëgjuar dëshmitari duke folur për procedura. “Po na e shpjegon ligjin”, kishte thënë ajo.
Sipas Hajdarit në emër të ‘ekonomizimit të kohës në gjykim’ kjo gjykatë i ka konstatuar të gjitha provat e lexuara ndërsa tani po dëgjohet një dëshmitar i tillë. Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti kishte thënë se është e drejta e të akuzuarve se kë e propozojnë dëshmitarë ndërsa është çështje tjetër se a e konsideron të rëndësishëm trupi gjykues këtë dëshmi. Hoti me tone të larta të zërit ia pati ndërprerë disa herë fjalën Hajdarit. “Ulu, ulu”, i ishte drejtuar asaj. E ka rikujtuar që ajo vetë ka vendosur të mos propozojë dëshmitarë por ua ka sjellë si provë Ligjin për Ndërmarrje Publike. “Ligji nuk është provë”, kishte thënë anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Beqir Kalludra.
Faza e intervistimit të dëshmitareve në këtë seancë ku përmendën shumë emra është përmbyllur për disa orë në një seancë të vetme. Në mungesë të dëshmitarëve të tjerë e provave shtesë për trajtim, proceduralisht gjykimi pati hyrë në fazën e marrjes në pyetje të të akuzuarve. Por në këtë seancë prokurorja speciale Hajdari kishte paralajmëruar se do të bashkëngjiste prova të reja në seancën e radhës.
Megjithatë “provat” e paralajmëruara nuk i kishte sjellë. Pati thënë se për provat që ka folur veçse janë pjesë e shkresave të lëndës. Kur proceduralisht ka filluar intervestimi i të akuzuarve një pjesë e tyre janë mbrojtur në heshtje, në mesin e tyre edhe kryeprotagonisti i kësaj afere, Adem Grabovci. Disa nga ata që kanë dashur të flasin kanë refuzuar të u përgjigjën pyetjeve të prokurorisë. Kjo fazë ka përfunduar me dy seanca të mbajtura. Procesi gjyqësor në rastin “Pronto” është një nga proceset gjyqësori me më se paku seanca të mbajtura nëse krahasohet me gjykimet e tjera ku janë të përfshirë zyrtarë publik. Aktakuza është ngritur me 6 prill të vitit 2018.
Seanca e parë ishte caktuar pas 6 muajsh. Me 1 tetor të vitit 2018 ishte paraparë të mbahet seanca e parë. Kjo seancë pati dështuar të mbahet për shkak të mungesës se disa prej të akuzuarve. Tentimi i dytë për të nisur gjykimi është bërë pas një muaj e gjysmë. Seanca fillestare ishte mbajtur me 15 nëntor të vitit 2018. Seanca e dytë ishte planifikuar të mbahej në fund të dhjetorit të vitit 2018 por ishte shtyrë për shkak se prokuroja Hajdari pati bërë kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti. Kjo kërkesë ishte refuzuar. Gjykimi ka vazhduar. Janë mbajtur edhe 9 seanca deri në vendimin që është shpallur gjatë ditës së sotme.