Vetëm AAK e Nisma nuk nënshkruajnë kërkesën e seancës për mbylljen e kazinove

Vetëm AAK e Nisma nuk nënshkruajnë kërkesën e seancës për mbylljen e kazinove

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 21 March 2019 16:29

Deputetët e LDK-së, PDK-së, VV-së, PSD-së e deputetë të pavarur, kanë mbledhur nënshkrimet për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit në Kosovë.

Kjo vjen pasi brenda pak ditësh janë shënuar dy vrasje brenda kazinove, një në Suharekë e një në Lipjan.

Kërkohet seancë e jashtëzakonshme për kazinotë

Koha.net ka arritur të sigurojë faksimilet e thirrjes së seancës me nënshkrimet e deputetëve, por ku shihet se mungojnë nënshkrimet e deputetëve të AAK-së dhe Nismës.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në kërkesën e publikuar në Facebook kishte ftuar" të gjithë deputetët, pa përjashtim të nënshkruanin kërkesën për seancë".

Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim nga AAK-ja dhe Nisma, por shefat e grupeve parlamentare të partive Ahmet Isufi i AAK-së dhe Bilall Sherifi i Nismës ishin të paçasshëm.

Sot ka nisur në Suharekë një peticion për shfuqizim të Ligjit për Lojërat e Fatit.


Kryesia e Kuvendit ka njoftuar se të premten, më 22 mars, do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e 49 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.

Mbledhja do të nisë në orën 10:30 me kërkesën e nënshkruesve që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.

“Pas mbledhjes së Kryesisë, në orën 11:00, Kuvendi pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar lidhur me kërkesën e deputetëve nënshkrues”, thuhet në njoftim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme