Arbëri

Stoltenbergu i telefonon sërish Haradinajt për Ushtrinë e Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas një njoftimi për media nga NATO-ja, thuhet se Stoltenberg e ka njoftuar Haradinajn se “Këshilli Veri-Atlantik pati një diskutim fillestar mbi ligjet e miratuara të fundmi mbi transicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”.

“Sekretari i Përgjithshëm e njoftoi zotëri Haradinajn se, tani që mandati i FSK-së po evoluon, Këshilli Veri-Atlantik do të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në vitin e ardhshëm. NATO do të vazhdojë me misionin e saj të KFOR-it për të siguruar ambient të sigurt në Kosovë. KFOR-i operon në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi transicionin e FSK-së”, thuhet në njoftimin e NATO-s, raporton Koha.net.

Në fund thuhet se Stoltenberg do të vazhdojë angazhimin e tij me të gjithë aktorët relevantë për stabilitet rajonal.

Bisedën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s e ka konfirmuar edhe kryeministri Haradinaj, të cilën e ka cilësuar si “bisedë miqësore”, ndërsa është shprehur i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi.

“Me kënaqësi e informova Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK. Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetit Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n”, ka thënë Haradinaj, raporton Koha.net.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës thotë ta ketë garantuar Stoltenbergun për transparencë në procesin e tranzicionit të FSK-së, “duke shprehur vizionin tim dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për kontribut në sigurinë rajonale dhe globale”.

“Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes”, theksoi Haradinaj.

Kujtojmë se pak ditë para votimit në Kuvend të ligjeve të FSK-së, Stoltenberg kishte biseduar në telefon me Haradinajn, të cilit i kishte thënë se “Transformimi i FSK-së në Ushtri është në kundërshtim me këshillat e shteteve anëtare të NATO-s”.