Arbëri

Ideja e Thaçit për “korrigjim” kufijsh merr kahe tjetër

Presidenti Hashim Thaçi është duke e transformuar idenë e “korrigjimit” të kufijve në shkëmbim territoresh. Mesazhin për këtë është duke e dhënë, tek po e përmend “dhuratën” e Aleksandar Rankoviqit.

Për “dhuratën” po flet në studio televizive që pak kanë njohuri për të. Fillimisht në “Opinion”, e një ditë më parë edhe në “Real Story”, të dyja këto emisione të televizioneve në Shqipëri, kreu i shtetit ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i dhuratave të Rankoviqit, dhe si dhuratë e ka identifikuar “një pjesë të Leposaviqit, Leshakun dhe një pjesë të Zubin-Potokut”.

Për këtë nuk ka folur në paraqitjet publike në Kosovë, përpos në një postim në llogarinë e tij në Facebook, shkruan sot Koha Ditore. Aty ka theksuar se është institucionalizuar vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për t’iu bashkëngjitur Kosovës dhe se kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulmore botërore.

“Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet”, ka shkruar presidenti Thaçi. “Të mos mbesim robër të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviq, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane”.

Rankoviqi ka qenë një prej autoriteteve kryesore të Jugosllavisë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri më 1966, kur është shkarkuar. Si udhëheqës i Sigurimit shtetëror jugosllav deri më 1966, ai ishte në krye të politikës së shpërnguljes së shumë shqiptarëve për në Turqi. Thuhet se ne vitet ‘50, me qëllimin për ta rritur përqindjen e serbëve në Kosovë, ia kishte bashkëngjitur Kosovës disa territore që u takojnë komunave Leposaviq e Zubin-Potok.

Ato territore Thaçi tash i identifikon si “dhuratë” të Rankoviqit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)