Komuna e Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar ka nënshkruar kontratë me dy kompani për vendosje të kamerave në kryeqytet. Kamerat pritet t’i shërbejnë Policisë së Kosovës, si i vetmi institucion që ka të drejtë të ketë qasje në to. As gjatë procesit të tenderimit e as pas nënshkrimit të kontratës, Komuna e Prishtinës dhe Policia nuk e kanë treguar numrin e kamerave nga tenderi me vlerë 1.3 milionë eurosh
Policia e as Komuna e Prishtinës nuk e kanë saktësuar numrin e kamerave që pritet të porositen në kuadër të tenderit 1.3 milionësh për vendosjen e tyre në kryeqytet.
Nënkryetari i komunës Alban Zogaj ka thënë se fillimisht do të jenë dhjetëra e mund të bëhen edhe qindra të tilla.
Zogaj, ashtu si drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica kanë thënë se meqë është lidhur kontratë kornizë për periudhë 3-vjeçare, sasia nuk është e përcaktuar.
“Numri i saktë i kamerave do të vendoset pas kërkesës që është duke e bërë Policia e Kosovës. Do të bëhet grupi punues, i cili do të dalë në vend të ngjarjes. Do t’i vizitojë të gjitha pikat kyç. Kjo ka qenë analizë e Policisë së Kosovës. Ne mund ta ndajmë edhe projektin që është bërë nga Policia e Kosovës. Për më shumë, javën e ardhshme do të takohemi me grupin punues ku do të kemi informata më të sakta sa i përket numri të kamerave në kryeqytet”, ka thënë Fushtica.
Ai ka treguar se në fazën e parë do të mbulohen fillimisht pjesët si udhëkryqet e rreth rrotullimet si dhe hapësirat publike më të frekuentuara. Sipas Fushticës, projekti do të përfshijë tri faza dhe për fazën e tretë do të duhen mjete shtesë.
“Faza e parë që do të fillojë këtë vit është vendosja e kamerave në udhëkryqet kryesore në hyrje-daljet e qytetit dhe rrugët kryesore e sheshet domethënë kjo do të jetë faza e parë. Faza tjetër do të jetë prapë bazuar në kërkesën e Policisë së Kosovës dhe analizën e tyre do të të shpërndahen në të gjithë qytetin. Projekti do të zgjasë tre vjet. Për vitin 2023 janë ndarë 400.000 euro, për vitin 2024 janë të ndara 300.000 euro dhe ne e dimë se për vitin 2025 do të duhet të kërkojmë mjete shtesë në mënyrë që të mbulojmë të gjithë kryeqytetin”, tha Fushtica.
Policia e Kosovës në përgjigjen e saj, ka shkruar se kryeqyteti ka kamera, porse e ka vlerësuar të domosdoshëm shtimin e numrit të tyre, meqë ato i kontribuojnë si sigurisë ashtu edhe zbardhjes së rasteve penale.
“Ka disa raste që kamerat kanë ndihmuar në zbardhjen e rasteve dhe identifikimin kryerësve të kundërvajtjeve e veprave të ndryshme penale, ku incizimet kanë ndihmuar në punën e PK-së, andaj shtimi i kamerave në qytete ndihmon punën e PK-së. Vlen të potencohet se ne si PK, me kapacitetet tona kemi dhënë kontribute të vazhdueshme në këtë fushë me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të sigurisë në vend, parandalimit dhe identifikimit të kryerësve të mundshëm të veprave të ndryshme penale, duke përfshirë edhe kundërvajtjet”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Si në Komunën e Prishtinës, ashtu edhe burime në Polici e kanë konfirmuar se kanë qenë të pajtimit që në procesin e tenderimit të mos specifikohet numri se sa kamera i duhen kryeqytetit.
Çështjen e sasisë e mallrave dhe shërbimeve të kërkuara e kishte ngritur më herët edhe një kompani gjatë procesit të prokurimit, por që komuna nuk e ka sqaruar se për çfarë sasie ka nevojë.
Ne pyetjen “Cilat janë sasitë e mallrave dhe punimeve që duhen realizuar”, Komuna është përgjigjur se “nuk i ka të përcaktuara sasitë e parapara për artikujt që kërkohen me këtë aktivitet prokurimi”.
E shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka thënë se komuna si udhëheqëse e projektit të kamerave ka mungesë ideje e plani të qartë.
“Fatkeqësisht nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme nga Komuna e Prishtinës për këtë çështje para fazës së prokurimit. Vlerësojmë se kjo është e padrejtë si mendësi sepse në këtë rast bëhet fjalë për një projekt që i afekton qytetarët në përditshmërinë e tyre. Vetëm pasi është bërë temë mediatike dhe pasi janë ngritur shqetësime, zyrtarët komunalë kanë filluar ta shtjellojnë si projekt, edhe pse është e qartë që nuk e kanë as vet një koncept të plotë dhe të qartë për këtë kontratë, por me tepër i kanë reagime si pasojë e kureshtjes së opinionit”, ka thënë Sveçla.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar në Facebook gjatë javës se kamerat e sigurisë me inteligjencë artificiale të fuqishme do të vendosen së shpejti dhe kjo do ta bëjë kryeqytetin më të sigurt. Sipas tij, sistemi i kamerave do të mundësojë që Policia të identifikojë më lehtësisht të dyshuarit, shkelësit e rregullave të trafikut dhe t’i mbajnë nën vëzhgim edhe personat që hedhin mbeturina vend e pa vend. Kamerat, sipas çmimeve në kontratën kornizë, do të jenë të pesë llojeve të ndryshme nga 1.100 euro deri në 5.100 euro. Një telekomandë (joystick) sipas këtij dokumenti është 1.200 euro. Ndërkaq, artikujt më të shtrenjtë në bazë të çmimores së kontratës kornizë janë regjistruesi dhe serveri i njohjes automatike të targave të veturave, ku një lloj është 30.000 euro dhe dy lloje të tjera 174.000 euro.
Në postimin e tij, Rama ka theksuar se prodhimi është amerikano-kanadez. Në dosje të tenderit është përfshirë edhe vendimi Qeverisë i nxjerr më 23 shkurt 2021, sipas të cilit Kosova zbaton sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, si dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndaj personave fizikë dhe kompanive të sanksionuara prej këtyre entiteteve. Me këtë është shmangur blerja e teknologjisë kineze, meqë në të kaluarën në Prishtinë janë vendosur kamera kineze të prodhuesve që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara. Për tenderin e vendosjes së kamerave vitin e kaluar ka pasur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por ky organ e hodhi poshtë atë si të pasafatshme.
Premtimi për kamera për hapësirat publike në kryeqytet është i vjetër, që nga mandati i Isa Mustafës, por që në masë të madhe mbeti pa u realizuar shkaku i anulimeve të njëpasnjëshme të tenderëve.