Sistemi i regjistrimit të të dhënave që do të bëhet nga kamerat që pritet të vendosen në kryeqytet nuk do të përfshijë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe se menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës, ka thënë të enjten Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Identifikimi biometrik nënkupton njohjen e individëve përmes shenjave të gishtave, njohjes së fytyrës, ADN-së, gjeometrisë së duarve, identifikimit përmes syve, zërit dhe jo vetëm. Sipas kësaj, Policia do të marrë pamjet dhe mbi to do të duhet të punojë për identifikim të personave që dyshohet se kanë kryer prishje të rendit dhe sigurisë publike dhe vepra të tjera penale.
Sipas njoftimit nga AIP-ja, kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave brenda hapësirave publike është bërë nga Policia.
“Kërkesa për blerjen dhe vendosjen e kamerave brenda hapësirave publike në Kryeqytet, që ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, identifikimin, gjetjen dhe kapjen e kryerësve të veprave penale, si dhe arritjen e objektivave tjera të ligjshme policore, është bërë nga Policia e Kosovës, drejtuar Kryeqytetit-Prishtinë”, thuhet në njoftim të AIP-së. “Monitorimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë do ta bëjë Policia e Kosovës dhe po ashtu infrastruktura teknike e pajisjeve, ruajtja dhe mbikëqyrja do të sigurohen nga Policia e Kosovës. Sistemi i regjistrimit të të dhënave, që do të bëhet nga këto kamera do të krijojë mundësinë e vlerësimeve statistikore, pa përfshirë përpunimin e karakteristikave biometrike dhe menaxhimi i tyre do të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës mbi bazën e autorizimeve ligjore të saj”.
Agjencia ka thënë po ashtu se siguron qytetarët se do të monitorojë zbatimin e këtij projekti për të siguruar zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave.
Edhe
Kamerat e shtrenjta të komunës nuk monitorohen nga policia, shkak mungesa e objektit
Për vendosjen e kamerave ditë më parë njoftoi kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama. Ai pati deklaruar se kamerat e sigurisë me inteligjencë artificiale të fuqishme do të vendosen së shpejti dhe kjo do ta bëjë kryeqytetin më të sigurt. Sipas tij, sistemi i kamerave do të mundësojë që Policia të identifikojë më lehtësisht të dyshuarit, shkelësit e rregullave të trafikut dhe t’i mbajnë nën vëzhgim edhe personat që hedhin mbeturina vend e pa vend.