Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Analizë

Nga Iraku i vitit 1991 tek Irani sot: një histori që po përsëritet

Nuk po e shkruaj këtë artikull në mbrojtje të regjimit të Ajatollahëve në Iran, a as të Maduros apo të ndonjë lideri tjetër autoritar. Shumë prej tyre kanë gjak në duar. Pika ime ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare dhe precedentin. Ka të bëjë me erozionin e rendit ndërkombëtar kur shtetet e fuqishme veprojnë nga gryka e topit dhe presin që pjesa tjetër e botës ta pranojë këtë. Asnjë president i kohëve të fundit i SHBA-së nuk i ka bërë më shumë dëm rendit ndërkombëtar sesa Trumpi. Fiksimi i tij për t’u kujtuar si njeri i paqes, pretendimet e përsëritura se i ka dhënë fund luftërave kudo, madje edhe në vende larg konfliktit amerikan, tingëllojnë bosh

Nga Bushi i vjetri te Trumpi, premtime për kryengritje dhe mungesë plani për ditën pas...

Ashtu siç Donald Trumpi iu drejtua së fundmi popullit të Iranit, duke bërë thirrje për kryengritje për ta rrëzuar regjimin e tyre, në vitin 1991 George H.W. Bush i bëri një apel të ngjashëm popullit irakian, pas Luftës së Gjirit kur tha: “Ka një mënyrë tjetër që gjakderdhja të ndalet: Dhe ajo është që ushtria irakiane dhe populli irakian t’i marrin gjërat në duart e tyre dhe ta detyrojnë Saddam Husseinin, diktatorin, të largohet”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shumë shiitë në jug të Irakut dhe kurdë në veri, e kuptuan këtë si një sinjal se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesnin një kryengritje të tyren.

Dhe kështu në mars të vitit 1991, pas armëpushimit që ishte në vend, popullata shiite në Basra, Najaf dhe Karbala u ngrit në revoltë. Edhe kurdët në veri u ngritën.

Për një moment, regjimit të Saddamit dukej se i erdhi fundi.

Por koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja nuk ndërhyri për t’i mbështetur rebelët. Përkundrazi, ata lejuan Gardën Republikane irakiane të ndërhynte kundër tyre dhe nuk bënë asgjë derisa ata i shtypën kryengritjet. Ajo që pasoi ishte represion brutal. Dhjetëra mijëra shiitë u vranë.

Pra në vitin 1991, Bushi i inkurajoi njerëzit të ngriheshin dhe pastaj qëndroi mënjanë ndërsa ata u masakruan.

Bushi atëherë, me fjalë të tjera, e gënjeu popullin e Irakut.

Është shqetësuese mirëpo ky skenar duket që është duke u përsëritur edhe sot.

Donald Trumpi tashmë veç se e ka gënjyer popullin e Iranit. Tani edhe ai po i inkurajon iranianët ta rrëzojnë qeverinë e tyre.

Por pse do t’i besonte populli i Iranit atij?

Ai i ka mashtruar ata më shumë se një herë. Gjatë negociatave me Iranin, përfshirë bisedimet e fundit në Gjenevë, ndërsa pretendonte se ishte serioz për arritjen e një marrëveshjeje, në të njëjtën kohë Trump me kolegun e tij Netanyahun po përgatisnin së bashku veprime ushtarake.

Dhe ai i gënjeu sërish kur pretendoi se objektet bërthamore ishin shkatërruar plotësisht. Pas bombardimeve të vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore, ai tha se ato ishin “shkatërruar”. Tani flet për “shkatërrimin e objekteve të shkatërruara”.

Gjuha ndryshon, por modeli mbetet i njëjtë

Problemi nuk është vetëm ajo që ai thotë. Problemi më i madh është se ai nuk ka plan për atë që vjen më pas. Pas dështimeve të politikave me trupa ushtarake në Irak dhe Afganistan, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta përballojnë një katastrofë tjetër në një vend me 90 milionë banorë. Edhe nëse Irani do të pushtohej disi, ai pothuajse me siguri do të përballej me një kryengritje të zgjatur. Rezultati do të ishte gjakderdhje në masa të paparashikueshme për vetë popullsinë e Iranit që Trumpi pretendon se dëshiron t’i ndihmojë.

Edhe kësaj here është bërë shumë e qartë, që Shtetet e Bashkuara nuk i kanë mësuar mësimet e Irakut dhe të Afganistanit. Edhe një herë, pa prova të qarta, ashtu si me pretendimet për armë  kimike –  të shkatërrimit masiv në Irak, dhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe as të Kongresit Amerikan, ka filluar veprimi ushtarak.

Nuk është as e drejtë dhe as moralisht e pranueshme që një udhëheqës i zgjedhur amerikan të diktojë botën nga gryka e topit.

Të bombardosh fillimisht dhe të justifikosh më pas nuk është një doktrinë e qëndrueshme.

Ngjashmëritë me ndërhyrjet e kaluara janë të dukshme: Vietnami, Iraku, Afganistani. Dhe kohë para tyre, grushti i shtetit i mbështetur nga CIA në Iran në vitin 1953. Vite më vonë, vetë CIA pranoi se rrëzimi i kryeministrit të zgjedhur Mohammad Mosaddeq në atë kohë, që forcoi sundimin e Shahut, ishte jodemokratik. Kjo histori ende hedh një hije të gjatë në Iran.

Këto episode kanë lënë plagë të thella në rajon dhe në besueshmërinë e Amerikës.

Një send dua ta bëj të qartë: Nuk po e shkruaj këtë artikull në mbrojtje të regjimit të Ajatollahëve në Iran, a as të Maduros apo të ndonjë lideri tjetër autoritar. Shumë prej tyre kanë gjak në duar. Pika ime ka të bëjë me të  drejtën ndërkombëtare dhe precedentin. Ka të bëjë me erozionin e rendit ndërkombëtar kur shtetet e fuqishme veprojnë nga gryka e topit dhe presin që pjesa tjetër e botës ta pranojë këtë.

Asnjë president i kohëve të fundit i SHBA-së nuk i ka bërë më shumë dëm rendit ndërkombëtar sesa Trumpi. Fiksimi i tij për t’u kujtuar si njeri i paqes, pretendimet e përsëritura se i ka dhënë fund luftërave kudo, madje edhe në vende larg konfliktit amerikan, tingëllojnë bosh. Pretendimet e tij për përfundimin e luftës mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit janë tronditëse dhe qesharake.

Tarifat e tij të çrregullta dhe kërcënimet ndaj Grenlandës dhe aleatëve të afërt të NATO-s në Evropë kanë tronditur aleancat e zakonshme.

Ai i ka hedhur poshtë rregullat e lojës dhe tani edhe një herë rrezikon të destabilizojë një nga rajonet më të paqëndrueshme në historinë moderne, Lindjen e Mesme.

Gjatë fushatës së tij elektorale dhe gjatë gjithë presidencës së parë, Trumpi premtoi vazhdimisht një politikë të jashtme jo-intervenuese. Ai tha se epoka e aventurave amerikane jashtë vendit kishte marrë fund.

E dini çfarë. Gënjeu sërish.

Ashtu si Bushi dhe Bleri në vitin 2003, krizat prodhohen përmes pretendimeve të pabazuara. Në një fjalim të fundit, States Union, Trumpi paralajmëroi se raketat balistike të Iranit së shpejti mund të arrijnë territorin amerikan, një pretendim që kujton narrativën e “45 minutave” që parapriu Luftën e Irakut. Pohimi i Netanyahut se Irani ishte gati të sulmonte Izraelin qëndron në të njëjtën hapësirë. Rrena të kulluara.

Irani, pas sulmeve të vitit të kaluar nga SHBA-ja dhe Izraeli, dukej më i fokusuar në ruajtjen e status quo-së dhe paqes sesa në nisjen e luftërave të reja.

Problemi kryesor – kriza bërthamore iraniane e shpikur nga Trumpi dhe aleatët e tij në Izrael

Irani ofroi të hiqte dorë nga të gjitha ambiciet e tij bërthamore, atëherë pse Trumpi dhe aleatët e tij e bombarduan Iranin?

Autori dhe profesori me origjinë iraniane Trita Parsi, duke folur për “Al Jazeera”, tha se Trumpi nuk po kërkon marrëveshje, por “dorëzim”. “Ai kërkon simbolikën e dorëzimit, dhe ajo që ai nuk arrin ta kuptojë është se sistemi aktual teokratik në Iran mund t’i mbijetojë një lufte”.

Edhe një herë, Trumpi bën thirrje për përmbysje.

Së fundmi, Trumpi iu drejtua iranianëve: “Ky ndoshta do të jetë shansi juaj i vetëm për breza me radhë. Për shumë vjet, ju keni kërkuar ndihmën e Amerikës, por nuk e keni marrë. Asnjë president nuk ishte i gatshëm të bënte atë që jam i gatshëm të bëj sonte. Tani keni një president që po ju jep atë që doni, kështu që le të shohim si do të përgjigjeni”.

Kjo tingëllon më pak si strategji dhe më shumë si ftesë për përmbysje. Në një vend aq kompleks sa Irani, me diversitetin e tij etnik dhe fetar, një thirrje e tillë mund ta copëtojë shtetin dhe të ndezë një luftë civile që mund ta përfshijë të gjithë rajonin.

Trumpi nuk ka asnjë plan edhe asnjë ide të qartë se si do të dukej dita pas, edhe nëse udhëheqja aktuale do të largohej. Dhe ky është rreziku.

Trumpi ka bërë shumë veprime të pamatura gjatë presidencës së tij. Ky mund të jetë kulmi. Ai duket i dëshpëruar për një fitore në Iran, ndoshta para zgjedhjeve të mesmandatit, me shpresën për të rritur mbështetjen e tij.

Është i njëjti plan edhe për Netanyahun. Kjo luftë është çështje kyçe për të në planin e brendshëm. Zgjedhjet janë vetëm disa muaj larg dhe ai duhet ta paraqesë këtë luftë dhe këtë aleancë në mënyrë që t’i sjellë vota.

Dhe pastaj është Kosova dhe presidentja

Në vend që të merret me punët e veta dhe të shmangë përfshirjen në konflikte të largëta globale që janë shumë larg realitetit të saj të brishtë, presidentja e Kosovës nxitoi të marrë një qëndrim të zëshëm në çështjet botërore, sikur Kosova të ishte një aktor vendimtar në gjeopolitikën globale.

Presidentja Vjosa Osmani e mbështeti publikisht sulmin e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke e përshkruar momentin si një mundësi për liri për popullin iranian. Ajo shkroi: “Ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Donald Trump. Si gjithmonë, Republika e Kosovës qëndron palëkundur krah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit”.

Për një vend të vogël dhe ende jostabil diplomatikisht, shtetësia e të cilit mbetet e kontestuar në shumë pjesë të botës, deklarata të tilla tingëllojnë më pak si diplomaci strategjike dhe më shumë si pozicionim politik.

Kosova duhet të përqendrohet në konsolidimin e demokracisë së saj, forcimin e institucioneve dhe menaxhimin e pozitës së saj të ndjeshme rajonale, jo në demonstrime besnikërie në konflikte përtej peshës dhe kapacitetit të saj.

Lindja e Mesme ka parë mjaft gjakderdhje. Shtetet e Bashkuara kanë parë mjaft gabime të kushtueshme. Populli iranian dhe ai amerikan meritojnë më shumë se një përballje tjetër të hapur të formësuar nga impulsi.

Tani, më shumë se kurrë, ajo që nevojitet është një përpjekje e përbashkët globale për paqe, jo më shumë gjakderdhje në një rajon që tashmë veç se ka përjetuar aq shumë trauma.

Eki Rrahmani është producent dhe regjisor në “Al Jazeera”, Doha, Katar