“Një nga arsyet pse nisa të mbledh etiketa para pesë vjetësh ishte kureshtja për origjinën e gjërave”, thotë artistja Stephanie Rizaj. E këtë s’e bën për arsye koleksionimi. Qasja e saj në art është hulumtuese. Nëpërmjet etiketave ajo gjurmon origjinën, lëvizjen, identitetin. Etiketat i shndërron në poliglotë të cilët edhe me heshtjen e tyre në formë, në esencë flasin zëshëm. Ekspozitës “Poliglot i heshtur” ia lë të lirë leximin. E ai është i shumëfishtë
Etiketat e veshjeve, zakonisht identifikojnë emrin e markës, vendin e prodhimit a përbërjen e materialit. Në ekspozitën “Poliglot i heshtur”, artistja Stephanie Rizaj i kthen ato në dëshmi të historive njerëzore, lëvizjeve globale apo identitetet që tejkalojnë kufijtë kombëtarë.
Të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare, është hapur ekspozita e artistes nga Kosova, por që punon e vepron midis Vjenës e Brukselit. Është ekspozita e parë e saj në institucione të Kosovës. Kuruar nga austriakja Vanessa Joan Müller, instalacioni i komisionuar posaçërisht për GKK-në, sjell reflektim mbi industrinë globale të modës e migrimin. Veçanërisht për mënyrën se si identitetet formësohen në botën çdoherë e më shumë në dinamikat e lëvizjes së njerëzve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Poliglot i heshtur” ndërthur objekte të gjetura e tekstil, përmes koleksionit të tiketave të veshjeve të vjetra që identifikojnë tepihët e rinj të palosur në formë rrethore. Brenda objektit të galerisë në lagjen “Qafa” ku GKK-ja është zhvendosur përkohësisht, ky kombinim ndryshon perceptimin duke vënë në pah marrëdhëniet midis estetikës, tregut e qarkullimit global të objekteve e edhe të njerëzve.
Sipas biografisë, praktika multidisiplinare e Rizajt përfshin instalacionin, skulpturën, videon dhe tekstilin, duke u mbështetur në reflektime mbi identitetin, komodifikimin dhe përkatësinë. Një temë e përsëritur në krijimtarinë e saj është ajo e rrobave dhe prodhimit, qarkullimit dhe “jetës pas përdorimit” të tyre, si dhe procesi përmes të cilit ato fitojnë e më pas humbin vlerë.
Artistja Stephanie Rizaj ka treguar se interesimi për etiketat nisi pesë vjet më parë, si një kërkim për origjinën e gjërave dhe historitë që ato mbartin.
“Gjithmonë më kanë interesuar historitë e njerëzve. Natyrisht, kjo lidhet edhe me historinë time personale, pasi vij nga kontekste të ndryshme dhe kam jetuar në vende të ndryshme. Kjo është diçka shumë e pranishme në jetën time. Një nga arsyet pse nisa të mbledh etiketa para pesë vjetësh ishte kureshtja për origjinën e gjërave. Kur shikon një etiketë, ajo të tregon se ku është prodhuar apo montuar një produkt. Por në të njëjtën kohë, mua më interesojnë përvojat individuale të njerëzve”, ka thënë Rizaj.

Ajo është shprehur se pas çdo veshjeje fshihen histori të panjohura, si të atyre që i kanë prodhuar e edhe të atyre që i kanë veshur.
“Nëse unë vesh diçka dhe ti vesh diçka tjetër, ne shohim vetëm veshjen. Nuk e dimë historinë e personit që e ka veshur më parë dhe as historinë e atij që e ka prodhuar. Këto janë gjëra për të cilat mendoj shpesh. Edhe kur gjej këto etiketa, pyes veten: kush ishte ky person? Nga vjen kjo? Në njëfarë mënyre, ky instalacion është si vetë bota. Të gjithë lëvizim brenda saj. Dhe kur afrohesh më pranë, mund të ndalesh te secili element e të dëgjosh historinë që ai mund të të tregojë”, ka thënë ajo për KOHËN.
Ajo ka theksuar se edhe kjo ekspozitë ka lirinë e interpretimit.
“Dikush mund të tërhiqet vetëm nga ngjyrat, dikush nga format, nga instalacioni në tërësi apo nga kuptimet që fshihen pas tij. Në punën time më pëlqen të krijoj shtresa të ndryshme leximi. Mund ta përjetosh veprën nga larg dhe të marrësh një përshtypje të përgjithshme, por nëse je kurioz dhe afrohesh, zbulon detaje të tjera – ngjyra të ndryshme, tekstile të ndryshme dhe histori të ndryshme që fshihen pas tyre”, ka thënë Rizaj.
Instalacioni dominon hapësirën e galerisë me tube të mëdha tekstilesh që varen në ajër. Secili i shoqëruar me etiketa të mëdha. Kuratorja e ekspozitës, Vanessa Joan Müller, ka thënë se ideja ka buruar nga vetë arkitektura e hapësirës.
“Artistja Stephanie Rizaj më ftoi të jem kuratore e kësaj ekspozite, por në këtë rast ajo e kishte tashmë idenë për këtë instalacion të madh në galeri. Ajo dëshironte të zhvillonte diçka që lidhej ngushtë me vetë hapësirën, një vepër pothuajse specifike për vendin ku ekspozohet. I pëlqente fakti që galeria ka dy dritare të mëdha, duke e bërë hapësirën të ngjajë me një dollap”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ajo që publiku sheh është “një version shumë abstrakt i një dyqani që mund të shiste rroba”. “Kemi këto role materiali – në fakt qilima – që duken sikur notojnë në ajër, dhe secilit prej tyre i është bashkëngjitur një etiketë”, është shprehur ajo.
Sipas saj, etiketat e çojnë ekspozitën drejt një reflektimi mbi globalizmin. Kuratorja austriake ka theksuar se sot ka veshje që kalojnë nëpër disa kontinente para se të marrin etiketën përfundimtare të origjinës.
“Sot, çdo pjesë veshjeje prodhohet në vende të ndryshme. Pëlhura mund të vijë nga Bangladeshi, të përpunohet në Kinë dhe më pas, kur arrin në Evropë dhe i vendoset etiketa, një bluzë mund të quhet ‘e prodhuar në Itali’. Ideja e ekspozitës ishte të krijonte këtë instalacion të madh si metaforë të përsosur për larminë e jetës bashkëkohore”, ka ilustruar kuratorja e shkrimtarja austriake, Vanessa Joan Müller.
Përtej industrisë së modës, instalacioni shtrihet edhe te çështjet e identitetit dhe përkatësisë. Kuratorja ka argumentuar se ekspozita gjithashtu korrespondon me identitetin dhe me atë se nuk është një kategori e vetme dhe e pandryshueshme.
“Edhe ne, në mënyrë metaforike, mbajmë një etiketë – një kombësi – por jeta jonë është shumë më e pasur se kaq. Secili prej nesh bart histori, udhëton dhe përjeton vende të ndryshme. Stephanie është austriake, por familja e saj vjen nga Kosova. Ajo ka jetuar për disa vjet në Belgjikë dhe vetëm vitin e kaluar është kthyer në Austri. Ajo ka një pasaportë austriake, por jeta e saj flet për shumë më tepër sesa një identitet i vetëm kombëtar. E njëjta gjë vlen për të gjithë ne”, ka thënë ajo më tej.
Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, ka thënë se ekspozita është rezultat i një hulumtimi të gjatë të artistes.
“Jemi shumë të lumtur që kemi mundësi të shfaqim ekspozitën e parë institucionale në Kosovë të Stephanie Rizaj në një instalacion të komisionuar i cili trajton tematikën e konsumerizmit përmes një komoditeti siç janë rrobat. Kjo duke pasur pikënisje etiketat ku zakonisht shkruhet emri i brendeve apo kompanive të cilat i prodhojnë ato”, ka thënë Halilaj.
Sipas saj, projekti lidhet ngushtë me formimin profesional të artistes, e cila fillimisht ka studiuar modë dhe arkitekturë, duke i bashkuar më pas këto fusha në praktikën e saj artistike.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 korrik, periudhë gjatë së cilës, stafi i Galerisë Kombëtare të Kosovës planifikon të kthehet në hapësirat e mëparshme të objektit të tij, tashmë të rinovuar.
Përmes etiketave të heshtura që flasin për tema të ndryshme, në ekspozitën “Poliglot i heshtur” (“Silent Polyglot”) ato ilustrojnë lëvizjet e njerëzve, materialeve e vetë historive në botën bashkëkohore.