Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Ilirët, Skënderbeu dhe feja: anatomia e një lufte identitare

Duhet bërë një dallim thelbësor ndërmjet qëllimit dhe efektit. Nuk është e nevojshme që çdo individ që prodhon përçarje fetare të jetë pjesë e një operacioni të organizuar apo të marrë udhëzime nga jashtë. Në luftën hibride rëndësi ka edhe konvergjenca e efekteve. Një narrativë e prodhuar brenda shoqërisë mund t’i shërbejë objektivisht të njëjtit qëllim strategjik që një aktor i jashtëm përpiqet ta arrijë

Rishkrimi i lashtësisë dhe krijimi i “ardhacakut”

Ka disa dekada që Serbia po ndërton një arkitekturë narrative që synon t’i shkëpusë shqiptarët nga lashtësia, t’i relativizojë figurat historike e kombëtare shqiptare, t’i ndajë sipas fesë dhe, në fund, t’i paraqesë si ardhacakë. 

Secila shёmbёllen si debat historik, por nëse bashkohen, ato shfaqen si një mekanizëm. Në diskursin historik dhe nacionalist serb gjithnjë e më shumë është duke u promovuar teza se shqiptarët nuk janë pasardhës të ilirëve, por se pasardhës të këtyre të fundit janë serbët.

Në një tubim të mbajtur më 21 qershor 2007 në ambientet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve – SANU, Mihailo Markoviq e quante prejardhjen ilire të shqiptarëve “falsifikim historik”, Mihailo Stanishiq i lidhte shqiptarët me Kaukazin, ndërsa Jovan Deretiq pretendonte se shqiptarët kishin ardhur në Ballkan në shekullin XI dhe se “ilirët janë sinonim për serbët”. Kjo narrativë po shtyhet gjithnjë e më shumë përpara edhe sot. 

Heqja e lashtësisë së shqiptarëve nënkupton paraqitjen e tyre si uzurpatorë dhe pushtues të tokave të dikujt tjetër. Kështu, pseudo-historia krijon substratin moral për revizionizëm territorial dhe pastaj ekspansioni nuk paraqitet më si zgjerim, por si “rikthim” i tokës.

Përvetësimi i figurave dhe inxhinieria identitare

Të njëjtën logjikë e gjejmë edhe te figura e Skënderbeut, ku përtej debatit për prejardhjen e nënës së tij, Voisavës, narrativa serbe ka shkuar shumë më larg. Historiania serbe, Olivera Milosavljeviq, një prej kritikeve më të njohura të historiografisë nacionaliste serbe, në studimin “Skenderbeg je Srbin” dokumenton se autorë serbë e kanë paraqitur Skënderbeun si serb, “gjysmëserb” apo “hero të madh serb”.

Vladan Gjorgjeviq, më 1913, pretendonte madje se as luftëtarët e Skënderbeut nuk ishin shqiptarë, por serbë. 

Këtu mekanizmi është që shqiptarëve t’u kontestohet aftësia historike për shtetformim, ndërsa çdo figurë që mund ta rrëzojë këtë tezë të përvetësohet. Madje, për ta përzier gjendjen edhe më shumë, prodhohen narrativa të tilla se kinse Vladimir Putini ka gjene shqiptare. Në pamje të parë kjo mund të duket si kompliment, por në luftën narrative mund të nënkuptojë përzierje të identiteteve, relativizim dhe shkëmbyeshmëri të tyre, derisa kufiri mes identiteteve historike fillon të humbasë. Me fjalë tё tjera: kjo është një formë e inxhinierisë identitare. 

Një mekanizëm të ngjashëm mund ta shohim edhe në raport me Malin e Zi. Serbia e njohu Malin e Zi si shtet të pavarur, por në diskursin nacionalist serb ka vazhduar kontestimi i identitetit të veçantë malazez dhe përpjekja për ta lidhur atë me korpusin kombëtar serb. 

Inxhinieria identitare mund të materializohet edhe në hapësirë. Kur objektet fetare shfaqen në vende ku nuk ekziston ose nuk dëshmohet qartë një komunitet funksional që i kërkon ato, atëherë objekti mund të marrë edhe një funksion përtej-fetar: simbolik, identitar dhe territorial. Në këtë mënyrë, hapësira fizike fillon të përdoret për të prodhuar kujtesë, prani dhe përkatësi identitare, siç do të kuptohet edhe nga argumenti më poshtë. 

Kjo përzierje turbullon kufijtë historikë dhe identitarë derisa publiku e humb kriterin se çka është histori dhe çka propagandë.

Feja, fragmentimi identitar dhe lufta hibride

Dimensioni fetar është po aq i rëndësishëm. Figura e Skënderbeut nga rilindësit është ndërtuar në kujtesën shqiptare si një simbol kombëtar mbifetar. Reduktimi i tij në një figurë ekskluzivisht të krishterë i jep hapësirë leximit të historisë përmes ndarjeve mysliman - katolik - ortodoks dhe jo nëpërmjet identitetit të përbashkët kombëtar. 

Po aq problematik është edhe procesi i kundërt: paraqitja e identitetit mysliman shqiptar si diçka e huaj, osmane apo në kundërshtim me shqiptarinë. Në këtë mënyrë, feja nuk trajtohet më si një shtresë e identitetit shqiptar, por përdoret për të krijuar kategori të shqiptarëve “më autentikë” dhe “më pak autentikë”. Pikërisht këtu fillon fragmentimi identitar. 

Kjo është veçanërisht e rrezikshme kur përkon me narrativa të vjetra nacionaliste serbe që shqiptarët myslimanë i paraqesin si produkt të osmanizimit dhe praninë e tyre në territore të caktuara si rezultat të islamizimit, migrimit apo zgjerimit osman. Nëse shqiptari mysliman paraqitet si më pak autokton sepse është mysliman, atëherë një debat fetar gradualisht shndërrohet në argument historik dhe territorial. 

Si fakt kemi edhe një precedent nga lufta e fundit në Kosovë. Raporti i OSCE/ ODIHR “Kosovo/ Kosova As Seen, As Told”, i bazuar në materialet e Misionit Verifikues të OSCE-së në Kosovë – OSCE-KVM, dokumenton se shqiptarët katolikë u ndaluan, u keqtrajtuan dhe u dëbuan në përputhje me modelin e përgjithshëm të dhunës kundër shqiptarëve. 

Por raporti regjistron edhe diçka tjetër: një numër shumë i kufizuar dëshmish tregonte se disa pjesëtarë të forcave jugosllave dhe serbe bënin dallim ndërmjet shqiptarëve katolikë dhe myslimanë dhe, në raste të caktuara, i trajtonin katolikët më mirë. 

OSBE-ja nuk e përcakton këtë si një politikë të përgjithshme të Beogradit. Megjithatë, një trajtim i tillë i diferencuar mund të prodhojë pikërisht efektin e përçarjes dhe mosbesimit ndërmjet shqiptarëve në baza fetare. 

Pikërisht këtu duhet bërë një dallim thelbësor ndërmjet qëllimit dhe efektit. Nuk është e nevojshme që çdo individ që prodhon përçarje fetare të jetë pjesë e një operacioni të organizuar apo të marrë udhëzime nga jashtë. Në luftën hibride rëndësi ka edhe konvergjenca e efekteve. Një narrativë e prodhuar brenda shoqërisë mund të shërbejë objektivisht të njëjtin qëllim strategjik që një aktor i jashtëm përpiqet ta arrijë. 

Nëse thyhet besimi dhe uniteti që shqiptarët kishin arritur ta forconin edhe përmes proceseve historike si Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, atëherë identiteti i përbashkët dhe kohezioni shoqëror bëhen më të cenueshëm. 

Edhe sot rreziku mbetet i njëjtë: relativizimi i elementeve që e mbajnë të dallueshëm identitetin shqiptar – prejardhja, gjuha, kujtesa historike dhe mënyra se si bashkëjetojnë identitetet fetare brenda tij – krijon hapësirë për inxhinieri identitare. Andaj, këtu bashkohen historia, identiteti dhe siguria. 

Problemi nuk fillon te ndërtimi i një kishe, xhamie apo te kritika ndaj një feje; problemi fillon kur feja përdoret për të përcaktuar se kush është shqiptar “autentik”, kush ka të drejtë historike mbi një hapësirë dhe kush duhet të konsiderohet ardhacak në të. 

Kur një populli ia merr lashtësinë, ia përvetëson figurat kombëtare, ia fragmenton identitetin sipas fesë dhe pastaj e shpall ardhacak në territorin e vet, nuk ke ndryshuar vetëm historinë e tij, por ke ndërtuar edhe narrativën që nesër mund të përdoret për të legjitimuar pretendime historike dhe ekspansion territorial. 

Faza më e suksesshme e një operacioni të tillë është kur kjo narrativë nuk transmetohet më vetëm nga Beogradi, por atëherë kur shqiptarët fillojnë ta riprodhojnë vetë.