Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

Supremja pranon ankesat e Gentiana Bajrami-Atashit dhe Blerim Krasniqit, anulon vendimet e PZAP-së

Gjykata Supreme

Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar ankesat e kandidatëve për asamble komunale Gentiana Bajrami-Atashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Blerim Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate, duke anuluar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe duke kthyer rastet për rivendosje.

Në vendimin e saj, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se PZAP-ja nuk ka vepruar në përputhje me ligjin gjatë shqyrtimit të ankesave të kandidatëve që lidhen me Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në rastin e Gentiana Bajrami-Atashit, Gjykata konstatoi se PZAP-ja pati refuzuar padrejtësisht kërkesën për verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në disa qendra ku ishin evidentuar mospërputhje. Sipas Supremes, paneli ka shkelur nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep të drejtë PZAP-së të urdhërojë rinumërimin dhe hetimin e materialit votues në rast të dyshimeve për parregullsi.

Ngjashëm, edhe në rastin e Blerim Krasniqit, që kishte ankimuar vendimin për numërimin e votave në Qendrën Komunale të Numërimit, Gjykata Supreme gjeti se PZAP-ja pati refuzuar gabimisht ankesën, duke mos e marrë parasysh provat që ndodheshin në dosjen e lëndës.

Kolegji i Supremes theksoi se PZAP-ja është e obliguar të hetojë të gjitha dëshmitë relevante dhe të sigurojë qasje në materialin zgjedhor, përfshirë edhe kutitë e votimit, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Gjykata Supreme udhëzon PZAP-në që në rivendosje të shqyrtojë përsëri të gjitha pretendimet, provat dhe materialet zgjedhore, në mënyrë që të sigurohet se secila votë numërohet drejt dhe vullneti i qytetarëve nuk cenohet.