Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka prezantuar planin e saj për uljen e çmimit të banesave në kryeqytet. Ajo ka thënë se edhe pse ka numër të madh të njësive banesore të pabanuara në Prishtinë, çmimi mbetet i lartë. Sipas saj, ky problem zgjidhet ndër të tjera edhe me ndërtimin e banesave nga komuna.
“Rreth 27 mijë banesa, pra një e treta e të gjitha banesave në Prishtinë janë të pashfrytëzuara. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë fleta poseduese dhe për këtë arsye pronarët nuk i hedhin në treg. Unë e kam zgjidhjen për këtë problem. Komuna i pajisë pronarët aktualë me fleta poseduese në mënyrë që ata të mund t’i fusin në treg pronat e tyre. Komuna gjithashtu ndërton njësi banesore komunale, të cilat futen në treg me çmim afër kostos së ndërtimit, kjo automatikisht e ul çmimin e banimit”, ka thënë Shahini.
E, në Kamenicë, kandidati i PSD-së, Qendron Kastrati, që synon rikthimin në krye të komunës, premtoi ekskursione për të moshuar e programe të rregullta fizioterapie.
Ai premtoi buxhet të garantuar për secilin fshat përmes Këshillit dhe Shoqatës së Fshatrave, duke nisur me një grant prej 200 mijë eurosh që shpërndahet proporcionalisht.
“Komuna e ka për obligim të përkujdeset për ta. Ne do të kujdesemi që të moshuarit të mos mbeten të izoluar, të përjashtuar prej kalendarit vjetor. Do të ketë ekskursione mujore, transport të siguruar falas për ata që duan të shkojnë në Banjë dhe programe të rregullta fizioterapie. Do ta themelojmë Qendrën Multifunksionale në qytet dhe secili fshat e lagje do ta ketë hapësirën e vet për moshën e tretë”, ka thënë Kastrati.
