Në Prishtinë e Kamenicë, kandidatët e Partisë Socialdemokrate kanë shpalosur nisma e premtime që, sipas tyre, synojnë zgjidhje reale për qytetarët. Besa Shahini nisi peticionin për vendosjen e taksës mbi banesat e pashfrytëzuara, ndërsa Qëndron Kastrati prezantoi programin e tij të fokusuar në arsim, pjesëmarrje qytetare dhe zhvillim lokal të Kamenicës.
Në Prishtinë, kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të komunës, Besa Shahini, ka prezantuar nismën për vendosjen e taksës për banesat e pashfrytëzuara.
Sipas saj, në kryeqytet janë mbi 27 mijë banesa që qëndrojnë bosh, e kjo, për Shahini, është pasojë e përdorimit të tregut të banimit si mjet investimi e jo si hapësirë jetese.
“Të rinjtë që duan ta nisin një jetë të pavarur, të rinjtë që duan të vijnë në qytet t’i sjellin talentet e tyre, të jetojnë në këtë qytet, të studiojnë në këtë qytet apo ta nisin jetën e tyre, e kanë gati të pamundur për shkak të çmimeve ekstremisht të larta të banimit. Ka ardhur koha që nga fjalët e shumta të kalojmë në vepra. Politika kryesore që e adreson çmimin e banimit është politika që e fut një pjesë të madhe të këtyre banesave në treg, si për qira si për shitje që është taksa për mosshfrytëzim”, ka thënë Shahini.
Shahini tha se përmes kësaj politike synon të ulë çmimet e banimit e të rrisë mundësitë e të rinjve për të blerë banesa.
Ajo njoftoi për nisjen e një peticioni për të bërë ndryshimin ligjor që mundëson aplikimin e kësaj takse.
“Sot po e nisim peticionin për të mbledhur nënshkrimet për ta bërë ndryshimin ligjor për tatimin në pronë, për të futur edhe një nen që mundëson aplikimin e taksës për mosshfrytëzim. Ne nuk jemi parti parlamentare, ndaj e zgjodhëm këtë rrugën e gjatë edhe nga fjalët po kalojmë sot në vepra që t’i mbledhim nënshkrimet dhe po shpresojmë që për 6 muaj sa kemi kohë t’i mbledhim nënshkrimet e nevojshme për këtë nismë ligjore të themelohet edhe parlamenti dhe të zhbllokohen proceset në nivel nacional”, ka shtuar ajo.
Në Kamenicë, kandidati i PSD-së dhe ish-kryetari i komunës, Qëndron Kastrati, ka prezantuar programin e tij zgjedhor të ndarë në katër shtylla.
Ai tha se ndër prioritetet kryesore është fuqizimi i këshillave të fshatrave dhe lagjeve me buxhete të dedikuara, që ia mundëson të vendosin vetë për projektet lokale.
Po ashtu, ka premtuar ndërtimin e dy çerdheve të reja në Hogosht dhe Lagjen Malësia, bursa për studentët me performancë të lartë, dhe integrimin e inteligjencës artificiale në shkolla.
Kastrati shtoi se pjesë e programit është edhe zhvillimi i turizmit vendor përmes krijimit të fshatrave tematike dhe festivaleve ndërkombëtare, që, sipas tij, do ta shndërrojnë Kamenicën në destinacion unik kulturor e natyror në rajon.
Ai theksoi se programi i tij nuk premton luks të parealizueshëm, por zgjidhje konkrete që e bëjnë jetën më të lehtë për banorët e Kamenicës.