Kryetari aktual dhe kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi, ka premtuar zgjerim më të madh të çerdheve në mandatin e ardhshëm.
Bulliqi u shpreh se kur ka marrë drejtimin e komunës, Podujeva ka pasur vetëm një çerdhe, ndërsa tash janë nëntë, prej të cilave pesë janë funksionale dhe tri të tjera në proces.
“Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë edhe me 13 çerdhe të reja. Do të bëjmë çerdhe aty ku ka fëmijë”, deklaroi ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Por ky premtim nxiti reagimin e kundërkandidatëve.
Kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, e akuzoi Bulliqin se kur ka qenë drejtor i Arsimit për dy mandate nuk i ka kryer këto punë. Ndërsa ka thënë se punimet e tanishme po vonohen.
“Ti i ke lënë (pa çerdhe v.j.), ti ke qenë drejtor dy mandate. Për një vit e më tepër, u vonua ndërtimi i çerdhes në qytet. Këto kanë shërby vetëm për të prerë shirita dhe për të rritur numra. Çerdhet duhet t’i plotësojnë kushtet”, deklaroi Hyseni.
Edhe kandidati i PDK-së, Isak Shabani, vuri në dyshim cilësinë e punimeve dhe planifikimin urban.
“Disa prej çerdheve janë të adoptuara, pa kopsht e pa gjelbërim. Tri çerdhe në qytet duhej të ndërtoheshin. Pse nuk i ka ndërtuar sa ka qenë dy mandate?”, ka thënë ai.
Ndërkohë, kandidati i Nismës Socialdemokrate, Xhemajl Hasani, u shpreh se projekti i Bulliqit është i tepruar dhe ai vetë do të fokusohej në një numër më të kufizuar.
“Unë i premtoj pesë çerdhe. Ka çerdhe që janë afër magjistrales, pa plan të mirëfilltë”, shtoi ai.
