Fituesi i balotazhit në Komunën e Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i ka quajtur të ulëta etiketimet ndaj tij për punësime partiake.
Ai ka thënë se arsyeja pse është etiketuar është sepse ka ndryshuar hartimi i ligjit dhe kriterit me anë të së cilit i është mundësuar komunës së Fushë Kosovës, Drenasit e Obiliqit qasja në ndërmarrje publike.
Prebreza në emisionin “Interaktiv” në KTV, tha se ka qenë nivel i ulët i akuzave dhe ka mohuar që ka blerë vota.
“Unë mendoj që ka qenë niveli më i ulët me të cilin jam etiketuar, e kanë ditur edhe ata që nuk ka ndodhë kjo gjë. Sot nuk blihet më vota. Gjatë punës sime në ministri kam tentuar të bëjë politika zhvillimore të ndërmarrjeve publike, në fokus të veçantë te rrethina ku atakohen më së shumti. Kjo gjë ju ka penguar sepse kemi pasur një pushtet mbi 20 vjet që nuk është përkujdesur kurrë për qytetarët e vet. Kjo gjë është dashur të rregullohet më herët duke u fokusuar kryesisht në hartimin e ligjit të veçantë për Fushë-Kosovën e që qytetarët do të kishin mundësi më të lehtë që të jenë të qasshëm në ndërmarrje publike. Këtë e kemi bërë me rregullore të brendshme ku kriter kryesor kemi vendosur kriterin profesional. Ky kriter pastaj ka prekur banorët e Fushë-Kosovës, Obliqit, Drenasit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Prebreza.
Kjo gjë sipas Prebrezës pastaj është shfrytëzuar për ta sulmuar sepse sipas tij kjo e drejtë e mohuar iu është kthyer banorëve të këtyre komunave.
Prebreza ishte në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besnik Osmani.
Kur janë numëruar 57 nga 59 vendvotime, Prebreza prin me 55.26 për qind të votave, duke lënë pas Osmanin me 44.74 për qind.
Prebreza: Jemi 12 asamblistë e na duhen edhe katër, pres të më bashkohen vullnetarisht
Kandidati i LVV-së për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës, i cili doli i pari edhe në garën e balotazhit, Valon Prebreza, ka thënë se pret bashkëpunim edhe me asamblistët e partive të tjera përveç atyre me të cilët kjo parti ka koalicion.
Prebreza në emisionin “Interaktiv” në KTV, tha se megjithatë është herët të flitet për bashkëpunime në Kuvendin Komunal sepse nuk e di akoma se si është harmonia në subjektet politike aktualisht.
“Pres bashkëpunim me të gjithë asamblistët për të ndryshuar gjendjen e Fushë-Kosovës. Me bashkëpunimin që kemi, jemi 12 asamblistë, na duhen edhe katër. Po besoj që ka asamblistë që na bashkohen edhe në mënyrë vullnetare. Nuk e di si është harmonia në subjektet politike pas rundit të dytë që na shpalli fitues. Qëllimi jonë është funksionaliteti dhe e mira për qytetarët e Fushë-Kosovës”, deklaroi Prebreza.
Tutje, fituesi i balotazhit në Fushë-Kosovë, tha se do të punojë edhe në lehtësimin e jetës për çiftet e reja në këtë komunë që sipas tij, janë në numër të madh. Lehtësi sipas Prebrezës është shtimi i numrit të çerdheve publike dhe hapësirave shkollore.
“Fushë-Kosova e ka veçantinë që ka shumë çifte të reja. Nuk di qytet në Kosovë që ka më shumë çifte të reja. Problemin kryesor e kemi me çerdhe dhe shkolla, me mungesën e çerdheve publike dhe hapësirave shkollore. Kemi shkolla me tri ndërrime, ku fëmijët mësojnë edhe në podrume. Qasja e parë do të jetë te ky sektor që të bëjmë së pari fillimin infrastrukturor për këtë kategori”, deklaroi Prebreza në emisionin “Interaktiv” në KTV.