Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se interesat në Mitrovicë janë të mëdha dhe se u arrit kulmi i shpërfaqjes mbrëmë me çfarë dhe si u raportua për rezultatin zgjedhor.
Por, Peci ka thënë se Mitrovica nuk është thyer.
Peci doli i dyti, bazuar në rezultatet preeliminare, në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës. Mori 47.80 për qind të votave, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së doli i pari me 47.89 për qind të votave. Dallimi mes tyre, pa u numëruar votat nga diaspora dhe at me kusht, është 28 vota.
Exit-pollet kishin projektuar se Tahiri do të fitojë pa balotazh.
“Le të presim deri në numërimin edhe të votës së fundit. Një gjë është e qartë: Mitrovica nuk u thye! Interesat në Mitrovicë janë të mëdha, dhe kjo e arriti kulmin e shpërfaqjes dje nga çfarë dhe si raportua për rezultatin zgjedhor. Por interesi i Mitrovicës dhe qytetarëve të saj është mbi të gjitha, e bashkë me ju do ta mbrojmë dhe përparojmë atë”, ka shkruar Peci në Facebook.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se raportimet e djeshme për komunën e Mitrovicës së Jugut, lidhur me rezultatet në zgjedhje, do të hetohen.
Sipas tij, në exitpollet e prezantuara dhe në raportimet për fitues para mbylljes së vendvotimeve, nuk bëhet fjalë për huqje por për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Kurti ka ftuar organet e sigurisë dhe të drejtësisë të merren me këtë çështje.
“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për huqje, por një inxhiniering të paramenduar, për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exitpollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjeshtë huqje por cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e sigurisë dhe drejtësisë të merren me këtë çështje”, ka deklaruar Kurti.
E Arian Tahiri në një postim në Facebook ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës për mbështetje.
“Së bashku, pa dallime, ecim bashkë drejt fitores tonë të plotë! Mirënjohës përjetë për besimin tuaj”, ka shkruar Tahiri.