Zgjedhjet lokale

PDK-ja merr mbështetjen e LDK-së për balotazhin në Mitrovicën e Jugut

Arian Tahiri - PDK - LDK

PDK-ja ka arritur marrëveshje me LDK-në për balotazhin në Mitrovicën e Jugut. 

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes. 

Tahiri në balotazh më 9 nëntor do të përballet me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.

“Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton. Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike. Ky është koalicion për Mitrovicën dhe mitrovicasit. Ky është koalicioni i fitores!” – ka shkruar Tahiri në Facebook. 

Në zgjedhjet e 12 tetorit, Faton Peci doli i pari me 47.94 për qind. Ndërsa Tahiri ishte i dyti me 47.57 për qind. Gëzim Plakolli i LDK-së përfundoi i treti me 3.71 për qind.

Dallimi mes Pecit dhe Tahirit ishte 122 vota.

E në një postim në Facebook, Peci ka shkruar se "Mitrovica ka treguar që nuk thyhet".