Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet lokale po vazhdon nëpër Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), ndërsa në katër komuna tashmë është përmbyllur plotësisht ky proces – në Han të Elezit, Junik, Mamushë dhe Zveçan, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të martën.
KQZ-ja ka thënë se deri në orën 16:00 të ditës së martë, procesi është përmbyllur në këto katër komuna, ndërsa në të njëjtën kohë ka filluar puna në tri Qendra të tjera Komunale të Numërimit – në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot të cilat gjatë paradites kishin probleme me internet.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se në QKN-të po zhvillohen njëkohësisht tre aktivitete kryesore: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale, dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.
Sipas të dhënave të deritanishme, deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe për 334 vendvotime nga zgjedhjet për kuvendet komunale. Po nga 334 vendvotime janë numëruar edhe votat e kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.
KQZ ka bërë të ditur se në platformën e saj tashmë kanë filluar të publikohen rezultatet e verifikuara nga QKN-të.