Rinisë me ngecje procesi i verifikimit dhe numërimi të votave për Komunën e Prishtinës. Ndërsa në Junik, Mamushë e Zveçan tashmë ka përfunduar numërimi. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se dinamika e punës është përmirësuar pas problemeve teknike që u shfaqën të hënën dhe të martën paradite.
Në tri komuna ka përfunduar procesi i verifikimit dhe i numërimit të votave, teksa në tri të tjera puna ka rinisur të martën pasdite, ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prishtinë, në turnin e paradites nuk është punuar, e rrjedhimisht nuk është numëruar asnjë votë, për shkak të problemeve teknike të cilat janë evituar pjesërisht pasdite.
“Po punohet hap pas hapi, në shumë prej tyre, pothuajse gjysma e tyre janë funksionale që nga ora 16:00 dhe pastaj edhe pjesa tjetër në ndërkohë. Në bazë të dinamikës që po zhvillohet edhe në komuna të tjera, nga ky numër i përgjithshëm i vendvotimeve të cilat i prezantova mund të vërehet që procesi po shkon mirë, me një ritëm të mirë dhe besojmë që do të arrihen afatet që parashihen me ligj sa i përket raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave”, ka theksuar Elezi.
Të hënën, procesi i verifikimit dh i numërimit të votave në Prishtinë ka nisur me dy orë vonesë, por që vazhdimin e punës e kanë pamundësuar problemet teknike.
Por edhe të martën në disa prej grupeve të numërimit nuk janë numëruar votat, për shkak të problemeve me transmetim në ekranet e vendosura për vëzhgues.
Elezi ka njoftuar se përpos në Prishtinë, probleme të ngjashme ka pasur edhe në dy komuna të tjera.
“Në orën 16:00 të ditës së martë procesi ka përfunduar në 3 prej tyre, në Junik, Mamushë dhe Zveçan, ndërkaq në Hanin e Elezit është mbyllur të hënën në mbrëmje. Së fundmi, në orën 16:00 të ditës së martë, ka filluar puna edhe në tri Qendrat Komunale të Numërimit: Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot”, ka thënë ai.
Në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen tri aktivitete: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvende komunale, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Elezi ka njoftuar se deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 334 vendvotime.
Nga po kaq vendvotime, janë numëruar votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.
Pas përfundimit të procesit në QKN-të, në Qendrën e Numërimit dhe rezultateve do të verifikohen dhe do të numërohen votat e dërguara nga diaspora dhe ato me kusht.
Elezi ka konfirmuar se mbi 33 mijë zarfe me votat nga diaspora ende nuk janë sjellë në Kosovë.