Kandidati për kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan dhe kryetari aktual, Alban Hyseni, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arbër Ismajli, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Riad Rashiti, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nazim Gagica e Isa Agushi nga “Bashki për Ndryshim – Anamorava” ishin të ftuar në debatin “Zgjedhjet në KOHË” për të diskutuar planet dhe prioritetet e tyre për katërvjeçarin e ardhshëm. Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

Agushi: Gjilani kurrë s’ka pasur kryetar të ndershëm, kurrë s’ka pasur ‘domaqin’ shpie

4 o. më parë / 16 sht 2025 20:58
Isa Agushi

Mes kandidatëve për kryetar të Gjilanit është edhe Isa Agushi nga Bashkii për Ndryshim – Anamorava.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”, ka akuzuar kryetarin aktual dhe gjithë të tjerët para tij se asnjëherë nuk kanë menduar për qytetarët.

“Gjilani kurrë s ka pasur një kryetar të ndershëm, një kryetar të mirë, një menaxher të mirë. Gjilani ka pasur një kryetar të partisë së vet, jo të qytetarëve. Unë e them një fjali katunarçe Gjilani kurrë s’ka pasur 'domaqin’ shpije, kurrë asnjëherë, prej se e mbaj”, ka thënë Agushi. “Pse? Kemi ardhur në vitin 2025, shekulli 21, prapë bisedojmë për projektet e njëjta, për ato që kemi folur në vitin 2012. Jemi kthyer prapa, nuk jemi avancuar absolutisht”.

Sipas Agushit, nëse një kryetar punon mirë dhe në mënyrë transparente, atëherë rezultatet nuk do t’i mungojnë.

“Në qoftë se punon me duar të pastra, të gjithë ta përkrahin. E në qoftë se punon me klane, me partinë pa dëgjime publike, pa ekspertë e profesionistë, normalisht që vijmë te ky problem si mosmiratimi i buxhetit. Kemi mbetur në kolaps si Gjilan”, ka thënë Agushi.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Gagica i AAK-së premton digjitalizim të shëndetësisë në Gjilan

4 o. më parë / 16 sht 2025 20:45
Nazim Gagica

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjilanit, Nazim Gagica, ka premtuar se nëse zgjidhet për t’u shërbyer qytetarëve, atëherë një prej projekteve të mëdha që do të realizojë është digjitalizimi i shëndetësisë.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”, ai ka shpjeguar edhe se si do të duket zbatimi në praktikë.

“Do të synojmë ta digjitalizojmë shëndetësinë. Ne kemi prezantuar edhe kabinat e telemjekësisë, e do të ndërtojmë kabina në pika strategjike, në fshatra ku qytetari do të ketë mundësi komunikimi të drejtpërdrejtë përmes teleprezencës për të marrë edhe informacione, konsulta nga mjeku dhe për të marrë shërbimet bazë”, ka thënë Gagica ka thënë se më të në krye, Gjilani do të bëhet qytet i jetueshëm.

“Ka kohë që gara (për zgjedhjet v.j.) ka filluar, në njërën anë promovuese e në tjetrën kundërshtuese, por ne do të prezantojmë shtyllat kryesore të cilat ne do të bazojmë programin tonë”, ka thënë ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Rashiti i PDK-së: Uzurpimet në Gjilan janë të mëdha

4 o. më parë / 16 sht 2025 20:30
Riad Rashiti, kandidat nga PDK-ja për kryetar të Gjilanit

Riad Rashiti, kandidat nga PDK-ja për kryetar të Gjilanit, ka thënë se uzurpimet në këtë komunë gjatë mandatit të fundit qeverisës janë të mëdha si asnjëherë më parë.

“Mos të flasim për uzurpimet, ato në Gjilan janë të jashtëzakonshme. Kanë ardhur në pushtet me (luftimin v.j.) të këtyre gjërave dhe ku e kanë sjell komunën”, ka thën Rashiti.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”, ka specifikuar si problem edhe mosrënimin e objekteve për të cilat kishte vendime për një gjë të tillë.

“Janë tetë vendime për rrënime dhe asnjë s’ka ndodhë më 20024. Më 2023 janë në listë 15 vendime për rrënime, asnjë s’ka ndodhë. Gjoba e shirita që kanë vendosur ka plot, por e kanë vazhduar punën”, ka thënë Rashiti.

Po ashtu ka folur edhe për një rast tjetër.

“Një rast tjetër paradoksal, komuna e Gjilanit ka lëshuar leje të jashtëligjshme të  ndërtohet pompë e benzinës, afër vendit ku është planifikuar çerdhja e fëmijëve. Ajo është e ndaluar. Çka ka ndodhur, është ndërtuar, ka pasur tejkalim, ka shkuar komisioni, ia ka vënë shiritin. Ka marrë vendim për rrënim, ka hesht. Kanë vazhduar punimet. Pas disa muajsh ka përfunduar projekti, prapë inspeksioni i ka lëshuar leje për ushtrim të veprimtarisë. Kjo askund s’ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë Rashiti.

Po ashtu ka mohuar se opozita e ka lënë komunën pa buxhet.

“Drejtorinë për buxhet dhe financa e ka lënë me muaj pa drejtor, kjo flet shumë. Si mundet me u anku te opozita e te kuvendi komunal për bllokim të buxhetit, kur ky (kryetari v.j.) e ka bllokuar vetë emërimin e drejtorit”, ka thënë ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Ismajli i LDK-së akuzon Hysenin e VV-së: Loja me investime jokorrekte, blerje e votës

4 o. më parë / 16 sht 2025 20:24
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se banorët e këtij qyteti po ballafaqohen me probleme të mëdha.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”, ai ka thënë se loja me investime jokorrekte është blerje e votës.

“Në Komunën e Gjilanit, momentalisht nuk funksionon asgjë. Të gjitha projektet që janë bërë, sidomos kohët e fundit, loja investime jokorrekte dhe jo të mira, është blerje e votës. Pra duhet të skenohet gjendja në Komunën e Gjilanit, sepse janë prishur edhe raportet kolegiale në administratë, në shëndetësi dhe në arsim si pasojë e keqqeverisjes”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, Gjilani po vazhdon me të keqqeverisët nga pushteti aktual që drejtohet nga Vetëvendosje.

“Kemi shumë projekte për të cilat këta flasin, e nuk janë bërë. Janë bërë keq. Rast konkret është rruga 'Adem Jashari', është nis keq, është deviju projekti dhe sot ka probleme jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë ai.

Ismajli ka mohuar pretendimet e kryetarit aktual Alban Hyseni, se opozita ka bllokuar buxhetin e Gjilanit.

E ka akuzuar edhe se projektet e lëna nga kryetari i kaluar, nuk janë shtyrë përpara nga qeverisja aktuale.

“Kjo qeverisje ka punuar pa planifikim. Asnjë projekt i lënë në vitin 2021 në vlerë 114 milionë euro, kjo qeverisje dhe ky kryetar nuk e ka shtyrë përpara”, ka thënë Ismajli.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Hyseni akuzon LDK-në se ka lënë shumë borxhe në Gjilan

5 o. më parë / 16 sht 2025 20:16
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, njëherësh edhe kandidati për kryetar i komunës së Gjilanit nga radhët e LVV-së, e ka akuzuar qeverisjen e kaluar të LDK-së në Gjilan se kanë lënë shumë borxhe të papaguara.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”,, Hyseni ka thënë se si pasojë e këtyre borxheve shumë projekte kapitale dhe strategjikisht të rëndësishme për zhvillimin e qytetit ka qenë vështirë të shtyhen përpara.

"Gjilanin e kemi gjetur në një gjendje jo të lehtë, i kemi trashëguar 28 milion euro borxhe që i kemi trashëguar, prej tyre për katër vitet e para të qeverisjes tonë janë 17 milionë euro borxhe të paguara, prej të cilave 12 milionë euro janë borxhe të shpronësimeve dhe projekteve kapitale. Për projektet kapitale është shumë më pak sesa për shpronësime, pra shumica dërrmuese janë për shpronësime, ndërsa sa u përket 5 milionë eurove të tjera, janë nga kontrata kolektive e mësimdhënësit të cilat janë marr edhe nga përmbaruesit privat. Në janar të vitit 2022 me të marrë mandatin jemi përballur me bllokim të llogarive për shkak të borxheve", ka thënë Hyseni.

Gjatë debatit kandidati i LVV-së, Alban Hyseni dhe ai i LDK-së, Arbër Ismajli, janë përplasur për disa projekte kapitale në Gjilan.