Kryetarët aktualë të komunave të Junikut, Istogut e Pejës promovuan punën e deritashme dhe premtuan projekte të reja. I pranishëm në aktivitetin parazgjedhor në Deçan, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka premtuar që edhe kjo komunë do t’i bashkohet, siç ka thënë, “vargut të Dukagjinit me LDK-në”
Në ditën e shtatë të fushatës së Lidhjes Demokratike, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili synon edhe një mandat, ka prezantuar fushën sportive të futbollit për vajza në Bardhosh. Ai theksoi se për herë të parë në Kosovë vajzat do ta kenë fushën e tyre, duke e cilësuar këtë si hap drejt barazisë dhe mundësive të reja.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme me pa entuziazmin e vajzave në momentin e pranimit të terrenit të futbollit në Bardhosh. KFV Prishtina, që nga dita e parë, i ka hapur dyert për vajzat e kryeqytetit nga 5-vjeçaret e deri te senioret pa asnjë pagesë dhe Ne, si kryeqyteti, vazhdojmë t’i përkrahim. Kjo fushë është më shumë se sport: është barazi, është mundësi dhe është premtim për një gjeneratë vajzash që rriten të gatshme të arrijnë majat”, ka shkruar Rama.
Kryetari aktual i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar disa nga projektet e përfunduara gjatë mandatit të parë dhe ka theksuar se një ndër më të rëndësishmit është rruga Junik-Restavicë.
“Me krenari po ndaj me ju një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme që kemi realizuar gjatë këtij mandati: Rrugën Junik -Rastavicë, e cila është ndërtuar me investim të madh mbi 2 milionë euro, me standarde evropiane. Ky projekt i madh përfshin gjithashtu infrastrukturën moderne nëntokësore, trotuare të sigurta, sinjalizimin horizontal dhe vertikal, muret mbrojtëse dhe ndriçimin smart”, ka deklaruar Shehu, që pretendon edhe në mandat në këtë komunë.
Fushata e tij është mbështetur të premten edhe nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Katër vjet më parë, Juniku i dha LDK-së besimin, i dha LDK-së mandatin, i dha LDK-së nderin ta udhëheqë. Në krye të këtij misioni fisnik qëndronte kryetari Ruzhdi Shehu. Dhe ai nuk zhgënjeu. Sot jemi sërish faqebardhë me thirrje që t’i japim vazhdim këtij besimi, që të vazhdojmë punën e nisur, që të mbështesim Ruzhdiun edhe për katër vjet të tjer në mision transformues që ka për komunën e tij të jetës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka qenë i pranishëm edhe në aktivitetin parazgjedhor të LDK-së në Deçan. Abdixhiku ka shprehur besimin se si në Pejë, Istog e Junik, mbështetja do të jetë e madhe edhe për kandidatin Jeton Mushkolaj.
“I ka ardhur koha që Deçani t’i bashkohet vargut të Dukagjinit me LDK-në. Kandidati ynë, Jeton Mushkolaj, së bashku me ekipin e tij, janë gati ta kthejnë besim qytetar në punë konkrete: zhvillim për qytetin, mbështetje për çdo lagje, dhe respekt për secilin qytetar. Deçani meriton më shumë se kaq. Meriton një qeverisje të përgjegjshme, një udhëheqje të afërt me njerëzit, një udhëheqje që krijon të ardhme për rininë e familjet e kësaj ane. Dhe këtë udhëheqje do ta ketë vetëm me LDK-në”, ka deklaruar Abdixhiku.
E, kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Driton Selmanaj, është zotuar se ruajtja e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të qytetit do të jetë prioritet, duke premtuar lirimin e objekteve fetare nga taksat komunale.
“Të gjitha objektet që përfaqësojnë aspektin religjioz të Prizrenit: xhamitë, kishat, teqetë dhe çdo objekt tjetër do të lirohen nga të gjitha obligimet ose nga të gjitha taksat që i kanë ndaj Komunës së Prizrenit. Po ashtu, ne do të subvencionojmë, ose do t’i heqim pagesat për të gjithë energjinë elektrike që e konsumojnë dhe që e shpenzojnë këto objekte të rëndësisë së veçantë për Prizrenin”, është shprehur Selmanaj.
E, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, që po ashtu synon mandatin e radhës, ka prezantuar impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, për të cilin tha se tashmë është projekt i realizuar.
