Zgjedhjet lokale

Kuçi i AAK-së thotë se është kërcënuar nga një militant i LDK-së

Agron Kuçi, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut,

Agron Kuçi, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut, ka thënë se e ka paraqitur në organet kompetente një kërcënim që sipas tij i është bërë nga një militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuçi ditë më parë u ankua për rritje të pazakontë të numrit të votuesve në këtë komunë, e që sipas tij nuk kanë as adresë, as mbiemër e vende pune apo lidhje me Junikun. Pas numërimit të deritashëm, të votave në vend dhe atyre me postë, Kuçi do të jetë në balotazh me Ruzhdi Shehun e LDK-së.

“As kërcënimet me jetë nuk më frikësojnë e as nuk më ndalin të punoj për të mirën e Junikut dhe qytetarëve të tij. Pas denoncimit publik të skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunën tonë, të kryera nga individë e grupe që nuk ia duan të mirën Junikut, sot jam përballur me një tjetër akt të ulët kërcënime me jetë dhe tentativa për frikësim e shantazh. Përveç tentativave përmes personave që kanë ardhur në shtëpinë time, duke kërkuar të tërhiqem nga demaskimi i manipulimeve me vendbanime dhe listat e votuesve, sot kam pranuar edhe kërcënime të drejtpërdrejta me jetë nga, A.M militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili është gjithashtu zyrtar komunal”, ka shkruar Kuçi në Facebook.

Ai ka thënë se i ka injoruar kërcënimet gjatë fushatës, por se tani është detyruar t’i paraqesë në organet kompetente.

“Ata që mashtruan e shpifën, që blenë vota me shuma të mëdha dhe kontrabanduan votues nga komuna të tjera përmes ndërrimit të vendbanimeve, tani, pasi janë zbuluar dhe ballafaquar me fakte e dëshmi, po përpiqen ta heshtin të vërtetën me kërcënime e presione. Kjo është fytyra e një kaste politike që, për pushtet, nuk njeh kufij moralë, ligjorë, e as njerëzorë. Por dua t’i siguroj të gjithë se as nuk frikësohem, as nuk zbrapsem. Me kërcënime të tilla jam përballur edhe nga regjimi i atëhershëm, por as atëherë nuk jam përkulur dhe as sot nuk do të përkulem”, ka shtuar ai.