Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje tha se KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët, kishin qenë të njoftuar për gabime teknike në fletëvotime.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Krasniqi tha se ishte befasi paraqitja e tij në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut, por shton se duket që anëtari i PDK-së nuk ka mundur t’i bindë bashkëpartiakët se bëhet fjalë vetëm për gabim teknik.
“Dje anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së ka qenë i njoftuar nga stafi i sekretariatit të KQZ-së edhe për Gjakovën edhe për Mitrovicën për këtë problem teknik. Në mbrëmje pamë kur filluan ato lëvizjet e dyshimta dhe atje ishte edhe anëtari i PDK-së, por me gjasë nuk ka mundur t’i bindë bashkëpartiakët e tij që ky është një gabim teknik”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi, tha se gabimi i njëjtë teknik ka qenë edhe në Komunën e Gjakovës, por sipas tij nuk po reagohet njëjtë sikurse edhe në Mitrovicë.
Gjithshtu ai shtoi se kompania që shtypi këto fletëvotime është e njëjta që ka shtypur fletëvotime edhe në kohën "kur ka pasur vjedhje industrial të votave".
“Lajmi për Gjakovën kur u dha u pranua nga të gjithë si një problem teknik. Kolegët e mi nga PDK-ja e dijnë që kur ka probleme të tilla ne i marrim verifikimet menjëherë dhe ato verifikme dhe garanci janë marrë edhe nga kompania edhe nga stafi, sepse fletëvotimet në këtë rast kanë qenë si pjesë e atyre që ne i quajmë amë dhe gabimi ka qenë vetëm teknik. Kjo kompani është e njëjta që ka shtypur fletëvotimet edhe në kohën kur ka pasur vjedhje industriale të votave në Kosovë. I ka bërë e njëjta kompani, por kurrë nuk është vënë dyshimi se i ka bërë kompania sepse kompania nuk bën vjedhje të votave por personat brenda kurdo që mund ta bëjnë”, deklaroi Krasniqi.
Sipas Krasniqit këto gabime teknike nuk kanë mundur të evidentohen më herët, sepse vijnë të paketuara. Ai pohoi se në Gjakovë janë mbi 10 vendvotime në të cilat janë vërejtur fletëvotime të ngjashme.
Sa i përket akuzave se ishte vendim politik ai i prokurorit Shpëtim Pecit që të fillojë numërimi pasi u bojkotua nga komisionerët e PDK-së, Krasniqi tha se prokurori Peci ishte caktuar nga vet kryeprokurori Njazi Rexha si prokuror kujdestar për procesin e balotazhit.
“Prokurori i rastit Shpëtim Peci ishte prokuror në detyrë i caktuar nga vet kryeprokurori Njazi Rexha për procesin e balotazhit por nuk e paska vërejtur më parë se ka mbiemrin e njëjtë me kandidatin Faton Peci. Kur e pyeta a je burri i një asambliste të zgjedhur të PDK-së, kryeprokurori Rexha e pohoi por nuk u përgjigj kur e pyeta se a është ky konflikt interesi në këtë rast”, deklaroi në emisionin “60 Minuta” në KTV.
E, Valon Brahimi nga PDK ka përsëritur se partia e tij beson se në këtë proces është devijuar vullneti i qytetarëve. Ai e ka quajtur “irrelevant” arsyetimin e kompanisë sllovene për çështjen e fletëvotimeve.
“Ne në kuti të votimit, zyrtarët tanë kanë hasur në fletëvotime që nuk i takojnë vendvotimeve të caktuara. P.sh një fletëvotim i një klase në shkollën e ‘Migjenit’ është hasur në një klasë të ‘Abdullah Shabanit’, pastaj një fletëvotim i qendrës në universitet është gjetur në një qendër në shollën ‘Ismail Qemali’. Fakti se kompania mund të ketë bërë lëshime, që prapë nuk besojmë në këtë arsyetim, por pavarësisht nëse ka ndodhur gabimi është irrelevant. Ne e kontestojmë procesin, ne nuk e kemi hasur procesin zgjedhor ose votën në kuti sipas rregullave zgjedhore”, ka thënë ai.
Paraditen e së martës, u.d i ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu, kërkoi nga u.d i kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi të ndërmerren disa veprime ligjore ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Njazi Rexha.
Sipas Sallahut kryeprokurori Njazi Rexha pa ofruar ndonjë arsyetim kishte vendosur të ndërprehet procesi i numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut.
Sipas Sallahut, Prokuroria mund të ndërhyjë vetëm kur ka dyshime për vepra penale si falsifikim votash, manipulim të rezultateve ose dëmtim të materialit zgjedhor dhe edhe në këto raste mund të kërkojë nga KQZ ose Policia ta pezullojnë përkohësisht pjesën e materialit që është objekt hetimi por nuk e ndalon procesin e numërimit.