Zgjedhjet lokale

Kandidati për asamble në Skenderaj paralajmëron padi për Sokol Halilin nëse s’i tërheq akuzat

Sokol Halili

Kandidati i pavarur Sokol Halili

Kandidati për asamble komunale në Skenderaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Seferi, ka paralajmëruar padi për kandidatin e pavarur Sokol Halili, nëse nuk i tërheq akuzat që i bëri gjatë debatit të mbrëmshëm në KTV.

Halili gjatë debatit me kandidatin e LVV-së, Hysni Mehani, u shpreh për Ilir Seferin se është “njeri i Sami Lushtakut”. Madje, kandidati i pavarur u shpreh se Seferi i ka blerë veturë djalit të Samisë, Mërgim Lushtakut dhe se e ka marrë në dorë klubin e futbollit.

E në një reagim të mërkurën, kandidati për asamble ka thënë se pretendimet e Halilit janë shpifje me qëllim denigrimi. Ai ka mohuar lidhjet me Lushtakët. Ai i bëri thirrje Halilit t’i tërheqë akuzat ose ndryshe do të përballet me padi.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

DEMANT

Nga: Ilir Seferi, kandidat për Asamblenë Komunale të Skenderajt

Unë, Ilir Seferi, e kundërshtoj publikisht dhe me vendosmëri shpifjen e bërë nga kandidati për kryetar të Skenderajt, z. Sokol Halili.

Deklarimet e tij se gjoja:

                              Unë jam “njeri i Sami Lushtakut”,

                              Unë jam duke ndërtuar një “shtëpi shumëkateshe” në Skenderaj,

                              Unë kam “marrë klubin e futbollit në Skenderaj”,

                              Apo se i paskam “blerë një makinë birit të Sami Lushtakut, Mërgim Lushtakut”,

janë shpifje të pastra, të pavërteta dhe me qëllim denigrues.

Theksoj qartë: Nuk kam asnjë lidhje të tillë, nuk kam ndërmarrë asnjë nga këto veprime, dhe asnjë provë nuk ekziston për këto trillime. Për më tepër, z. Sokol Halilin nuk e kam takuar dhe nuk e kam njohur asnjëherë.

Ky nivel shpifjeje është i papranueshëm për një kandidat për kryetar komune, i cili duhet të mishërojë përgjegjësi dhe etikë politike, e jo të përdorë gënjeshtra për përfitime elektorale.

KËRKESË

I bëj thirrje publike z. Sokol Halili:

                1.            Të tërheqë menjëherë këto deklarata shpifëse.

                2.            Të kërkojë falje publike për dëmin e shkaktuar.

PARALAJMËRIM

Në të kundërt, nëse nuk ndodh tërheqja dhe kërkimi i faljes publike, do të jem i detyruar të ndërmarr veprime ligjore për shpifje dhe dëmtim të nderit e reputacionit tim, sipas ligjit.

Unë nuk mund ta ul nivelin tim dhe të Lëvizjes Vetëvendosje duke u marrë me shpifje, por do të mbroj gjithmonë me vendosmëri emrin, integritetin dhe të vërtetën.

Për çdo pretendim ndaj meje, kërkoj publikisht: sillni letrat, dokumentet dhe faktet. Në mungesë të tyre, gjithçka tjetër është shpifje.

Me respekt,

Ilir Hajzer Seferi

Kandidat për Asamblenë Komunale të Skenderajt