Zgjedhjet lokale

Kandidati i LVV-së për Novobërdën kritikon kundërkandidatët nga Lista Serbe e LDK-ja

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Novobërdës, Abdyl Gashi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Novobërdës, Abdyl Gashi, ka kritikuar ata që kanë udhëhequr me komunën e që janë sërish kandidat për zgjedhjet lokale se po u ikin debateve. 

Gashi në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Novobërdën”, ka thënë se si kryetari i komunës që vjen nga lista Serbe, ashtu edhe nënkryetari që vjen nga LDK-ja, kanë zgjedhur të mos ballafaqohen në prag të zgjedhjeve lokale. 

“Do të duhej të ishte në debat edhe kryetari nga Lista Serbe dhe nënkryetari që është kandidat dhe vjen nga LDK-ja, Bajrush Ymeri. Ata kanë zgjidh një metodë, t'u ikin debateve, pasi nuk janë të gatshëm të ballafaqohen për t'i argumentuar problemet apo izolimin që ia kanë bërë komunës së Artanës”, ka thënë Gashi. 

Ai ka thënë se ka përgatitur një program të detajuar për këtë komunë dhe se po e prezanton në çdo tubim me banorë. 

“Rëndësi të veçantë i kemi dhënë infrastrukturës, pasi që Artana ka një problem të madh me ujin e pijshëm, ku shumica e rrjetit të ujësjellësit në Artan nuk funksionon, por në mandatin tim kjo do të bëhet realitet. Qysh në vitet e para do ta funksionalizojmë. Po ashtu kemi problem me infrastrukturën rrugore. Komuna ka buxhet shumë të vogël, por edhe ai nuk është i ndarë në mënyrë proporcionale”, ka thënë Gashi. 

Ai ka premtuar edhe rregullim e zgjerim të disa rrugëve të Novobërdës dhe fshatrave të saj.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet në KOHË

Kush i fiton zgjedhjet në Novobërdë?