“Bajrush Ymeri është njeriu i Artanës. Ai është biri i këtij vendi, që e njeh më mirë se kushdo çdo lagje, çdo rrugë, çdo fshat. Ai nuk vjen me premtime boshe. Ai vjen me përvojë, me përkushtim, me ndershmëri. Ai është gati të punojë ditë e natë për t’ua dhënë qytetarëve të Artanës dinjitetin, për t’ua mbajtur shpresën, për ta bërë Artanën një vend me plot zhvillim. Por, Bajrushi nuk është vetëm. Sepse përveç kryetarit, një komunë e fortë ka nevojë për një asamble të fortë”, ka thënë Abdixhiku
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të dielën mbrëma ka mbajtur tubimin qendror të ditës në Novobërdë, bashkë me kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Bajrush Ymeri.
Abdixhiku i ka thurur lavde nënkryetarit të tanishëm të komunës në lindje të Kosovës, tek ka thënë se Artana, siç njihet ndryshe kjo komunë, është e vogël po ka shumë histori.
“Bajrush Ymeri është njeriu i Artanës. Ai është biri i këtij vendi, që e njeh më mirë se kushdo çdo lagje, çdo rrugë, çdo fshat. Ai nuk vjen me premtime boshe. Ai vjen me përvojë, me përkushtim, me ndershmëri. Ai është gati të punojë ditë e natë për t’ua dhënë qytetarëve të Artanës dinjitetin, për t’ua mbajtur shpresën, për ta bërë Artanën një vend me plot zhvillim. Por Bajrushi nuk është vetëm. Sepse përveç kryetarit, një komunë e fortë ka nevojë për një asamble të fortë. Dhe ne kemi sjellë sot edhe listën tonë për Kuvendin Komunal të Artanës. Janë burra e gra të ndershëm, profesionistë, njerëz që nuk e shohin politikën si privilegj, por si shërbim”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin sociale Facebook.
E tubim hapës ka mbajtur kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani. Ai para qytetarëve të mbledhur të dielën ka ndarë vizionin e tij për qytetin dhe ka prezantuar kandidatët për asamble komunale.
“Në këtë tubim të parë elektoral para qytetarëve tanë prezantova vizionin dhe programin tonë qeverisës – një program që synon zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie për çdo familje dhe një të ardhme më të sigurt për gjeneratat e reja. Gjithashtu, pata kënaqësinë të prezantoj ekipin tonë të kandidatëve, njerëz profesionistë, të përkushtuar dhe të gatshëm të punojnë për interesin e qytetarëve. Fushata jonë do të jetë e hapur, e ndershme dhe e fokusuar në ide konkrete për ndryshim pozitiv”, ka shkruar Osmani.
Ai pas shumë mandatesh do të konkurrojë nga LDK-ja në vend të Burim Berishës, që ka udhëhequr këtë komunë për shumë vjet.
Kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, në Facebook ka shpërndarë një vizitë që ka bërë te një familje llapjane. Ka thënë se sfidave që ka komuna nuk i është përgjigjur pushteti aktual.
E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që kandidon për një mandat të dytë, ka shpërndarë një video promovuese për kapacitetet e komunës për të reaguar në raste të emergjencave.
“Për herë të parë në kryeqytet kemi qendrën operative 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Çdo urgjencë, alarm, telefonatë e ka përgjigjen dhe një ekip që vjen tek ju. Sepse emergjenca nuk ka orar. Prishtina përtej zyrave që mbyllen në orën 4”, ka thënë Rama.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismaili, takim me banorë ka mbajtur në fshatin Sllubicë. Ai ka shpërndarë foto e ka shprehur përkushtim për punë në këtë fshat.
“Banorët e Sllubicës shprehën nevojën për përmirësimin dhe ndërhyrjen në infrastrukturë, mbështetjen e bujqësisë, përkujdesjen ndaj rinisë dhe një qasje më serioze të institucioneve lokale ndaj problemeve të përditshme që kanë këta njerëz”, ka deklaruar Ismaili.
Kandidati i kësaj partie për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, të dielën ka mbajtur tubimin qendror në qytet. Ai ka prezantuar vizionin e tij për Prizrenin e ka zhvilluar edhe bashkëbisedime me pjesëmarrësit.