Zgjedhjet lokale

Izmaku: Pushteti aktual i Vushtrrisë ia ka huq me udhëheqjen në DKA

Xhevahire Izmaku

Kandidatja për kryetare të Vushtrrisë nga partia Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit aktual, Ferit Idrizi që është edhe kandidat nga radhët e PDK-së. 

Izmaku ka thënë se pushteti aktual në këtë komunë ia ka huq me udhëheqjen në DKA. 

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Vushtrrinë”, kandidatja e Nismës ka deklaruar se në këtë komunë është shkëputur memoria intelektuale sepse në krye të arsimit është vendosur një figurë administrative që ka mundur të jetë një zyrtar i mirë po kurrsesi një drejtor arsimi. 

Gjatë këtij debati Izmaku ka thënë se është shqetësuese mungesa e infrastrukturës nëpër shkollat e kësaj komune. 

“Në shumicën e shkollave në komunën e Vushtrrisë, fëmijët detyrohen me marr ujë me vete, pra s’kanë ujë të pijshëm në shkollat fillore dhe ato të mesme, mungesa totale të ndriçimit përreth tyre”, tha ajo. 

Kandidatja e Nismës ka shpalosur edhe premtimet e saj në këtë fushë. 

“ Do të kem interes që siguria për nxënësit të jetë në nivelin më të lartë, do të bëjë dollapë për të gjithë. Për mua ka shumë rëndësi që nxënësit dhe fëmijët tanë në Vushtrri të kenë bursa jo në mënyrë selektive... pra nuk do të ketë ndarje nëse janë tre studentë nga një familje unë do të jap bursa si kryetare e komunës për të tre fëmijët e jo për një sepse kjo nuk ka asnjë logjikë, secili e ka orientimin e vet dhe drejtimin e vet profesional”, ka shtuar Izmaku. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 12 tetor.

Lexo përditësimet tjera
Debati per Vushtrri

Kandidatët për Vushtrri shpalosin programin