Xhafer Tahiri ka njoftuar të enjten dorëheqjen nga posti i kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, duke e cilësuar vendimin si një hap të marrë “me reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike”.
Në një shkrim në Facebook drejtuar qytetarëve dhe anëtarëve të LDK-së, Tahiri theksoi se dorëheqja nuk vjen nga lodhja apo zhgënjimi, por nga dëshira për t’i hapur rrugë energjive të reja brenda degës.
Ai kujtoi rrugëtimin e tij politik që nga viti 2009, kur mori drejtimin e Forumit Rinor të LDK-së në Vushtrri e më pas në nivel vendi, si dhe periudhën 2017–2021 kur ka shërbyer si kryetar i Komunës së Vushtrrisë.
Tahiri u shpreh krenar për projektet e realizuara gjatë mandatit dhe për mbështetjen elektorale ndër vite, duke veçuar fitoren e vitit 2017, “kur isha i vetmi kandidat fitues i LDK-së në Rajonin 02 në dy dekadat e fundit”.
Pavarësisht rezultateve të fundit zgjedhore, Tahiri ka thënë se puna dhe angazhimi i strukturave të LDK-së në Vushtrri mbeten të çmuara, ndërsa falënderoi anëtarët për mbështetjen shumëvjeçare.
Ai sqaroi se dorëheqja është vetëm largim nga pozita drejtuese në degë, por jo nga angazhimi politik, duke theksuar se do të vazhdojë punën në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
“Kam besim te njerëzit e Vushtrrisë, kam besim te LDK-ja dhe te rruga e bashkëpunimit”, përfundoi Tahiri.
Tahiri ishte në qendër të vëmendje para balotazhit të zgjedhjeve lokale të 12 nëntorit. Ai lidhi koalicion me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli. Në nënshkrimin e koalicionit qe i pranishëm edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. Megjithatë, koalicioni nuk mori aprovimin e Kryesisë së LDK-së. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, pati thënë se pasojat për Tahirin për një vendim të tillë do të merreshin pas përfundimit të balotazhit. Megjithatë, ende s’ka pasur asnjë ndëshkim.
Meholli e humbi garën me Ferit Idrinzn e Partisë Demokratike të Kosovës.