Zgjedhjet lokale

Çeku premton reforma në arsim në kryeqytet, Abrashi mbështetje për personat me aftësi të kufizuara

Hajrulla Çeku

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, në ditën e dytë të fushatës zgjedhore ka zhvilluar një takim me grupin e logopedëve. Në një postim në Facebook, ai theksoi se këto takime me profesionistë të fushave të ndryshme po mbahen për të dëgjuar nga afër sfidat e tyre dhe për t’i adresuar ato në përputhje me programin e partisë. “Me logopedët biseduam për shërbimet mbështetëse, për rolin e tyre në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve dhe për nevojën e bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal,” u shpreh Çeku.

Ai shtoi se reformat e synuara në Prishtinë nuk kufizohen vetëm në ndërtimin e çerdheve dhe shkollave të reja, por përfshijnë edhe përmirësimin e sistemit arsimor brenda tyre. E kandidati tjetër për kryetar komune në Prizren, Artan Abrashi, ka zhvilluar një takim me organizatën “Handikos”. “Një shoqëri dhe një shtet që nuk kujdeset për kategoritë më të ndjeshme, nuk mund të justifikojë asnjë punë tjetër. Kujdesi për këta qytetarë është test i vërtetë i përgjegjësisë sonë si institucione dhe si komunitet”, ka shkruar Abrashi, i cili u zotua se gjatë mandatit të tij si kryetar, personat me aftësi të kufizuara do të kenë vëmendjen, mbështetjen dhe shërbimet që meritojnë. Përveç këtyre takimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar aktivitetet e saj zgjedhore në disa komuna të vendit. Janë mbajtur takime me banorët e Petrovës në Prizren, me qytetarë në Gllarevë të Klinës, si dhe janë realizuar vizita te fermerët në Dubravë të Therandës dhe në pishinën e Banjës në Malishevë. 

E kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Prizreni do të bëhet edhe qendër e arsimit, turizmit dhe ekonomisë lokale. 

“Kryeqendrën e kulturës e historisë, duhet ta bëjmë edhe qendër të arsimit, turizmit dhe ekonomisë lokale, që punon, funksion dhe zhvillohet çdo ditë. Për Prizrenin 365 ditë, me Artan Abrashin kryetar të komunës, bashkë me qytetarët”, ka shkruar Kurti në Facebook.