Kandidati i AAK-së për komunën e Lipjanin, Bashkim Budakova, ka thënë se prioritet për të në rast se zgjidhet kryetar i kësaj komune do të jetë fusha e arsimit.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Lipjanin”, Budakova ka premtuar ndërtimin e çerdheve, shkollave, si dhe objekteve të tjera që do të ndikonin në përmirësimin cilësisë së arsimit.
“Për zgjidhjen e problemeve në arsim kemi paraparë ndërtimin e një kampusi në qytetin e Lipjanit, është shkollë moderne me standarde evropiane, i cili përmban kabinete, salla sportive, pishinë gjysmëolimpike. Ky kampus do të ndërtohet në lokacionin ku tani gjendet shkolla e mesme e ulët “Vëllëzërit Frashëri” dhe Tregu i Gjelbër”, ka thënë Budakova.
Përveç këtij kampusi, sa i përket arsimit kandidati i AAK-së ka premtuar paisjen e të gjitha shkollave me tabela digjitale, me pajisje për laborator si dhe salla të sportit.
Gjatë këtij debati, Budakova ka folur edhe për problemet me ujin e pijshëm dhe investimet infrastrukturore me të cilat sipas tij po përballet Lipjani.
Zgjedhjet lokale mbahen me 14 tetor.
