Kandidatët e AAK-së të enjten kanë përqendruar premtimet e tyre te rinia. Por, ka nga ta që kanë premtuar edhe projekte të mëdha. Kandidati Ukë Blakaj është zotuar se nëse e fiton garën elektorale, do ta zhvillojë turizmin në Istog, duke e lidhur me teleferik qytetin me bjeshkët
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar fushatën zgjedhore me prezantimin e projekteve dhe prioriteteve nga kandidatët e saj në komunat ku garojnë, e që kryesisht kanë të bëjnë me rininë.
Në kryeqytet, kandidati Bekë Berisha është zotuar se, nëse e fiton garën elektorale, një prej prioriteteve të tij do të jetë ndërtimi i një qendre për trajtim dhe rehabilitim të të rinjve me varësi ndaj narkotikëve, si mënyrë për t’u ofruar mbështetje dhe rikthim në jetën aktive.
“Një prej problemeve më serioze që ka rinia jonë është përdorimi i drogës dhe alkoolit. Kam takuar të rinj që më kanë thënë: ‘s’kem ku me shku’. Kjo s’duhet të ndodhë! Për ta, do të ndërtojmë një qendër të specializuar për trajtim dhe rehabilitim, me kujdes profesional dhe mbështetje që i kthen të rinjtë në jetë aktive”, ka thënë Berisha.
Në Pejë, kandidati Ali Berisha është përqendruar në arsim, për të cilin ka thënë se është i politizuar.
“Më shkruajnë qindra arsimtarë që arsimi është keq. Arsimi është bazë e shtetit, arsimi është bazë e zhvillimit – dhe kjo duhet të ndryshojë. Politizimi duhet të jetë larg arsimit. Janë fushatat zgjedhore ku mundesh me u marrë me politikë, por jo katër vjet, o vëlla! Gjatë gjithë katër vjetëve janë në shërbim të një kryetari të komunës. Jo! Ashtu s’duhet. Duhet me qenë në shërbim të nxënësit, duhet me qenë në shërbim të mësimdhënësve. Shkollave duhet me iu dhënë autonomi. Shkollat duhet me pasë buxhetin e ndarë – jo për gjithçka shkollat me lypë shërbime nëpër institucione. Ndaje buxhetin, ata e menaxhojnë. Shkollat me qenë përgjegjëse për pranimin e më shumë personelit. Jo gjithçka të varet prej politikës. Je në politikë – mundesh me u punësu; je profesionist i jashtëzakonshëm – nuk mundesh me u punësu”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, në Viti, kandidati Labinot Bislimi ka folur për mungesën e mirëmbajtjes së infrastrukturës sportive, dhe ka premtuar funksionalizim të plotë të fushave në fshatrat Sogovinë dhe Pozheran.
“Koha e Sokol Halitit duhet të përfundojë, sepse është kohë ku investimet as nuk ruhen, as nuk mirëmbahen. Kjo fushë është investuar vite më parë, por vetëm hajdeni dhe shikojeni se në çfarë gjendje është! Çdo fushë që është si kjo e Sogovinës dhe dy të Pozheranit, të cilat do të jenë të lidhura ngushtë nesër me investimin për stadiumin e Vitisë – të katër fushat do të funksionojnë bashkërisht dhe të lidhura njëra me tjetrën. Por mbi këto fusha do të ketë gjithmonë një përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre. Për çdo gjë që bëhet në këto fusha, nuk do t’i lëmë më kurrë që investimet tona të shkojnë poshtë”, ka thënë Bislimi.
E kandidati për kryetar të Istogut nga kjo parti, Ukë Blakaj, ka premtuar ndërtimin e një teleferiku për të nxitur zhvillimin e turizmit malor në këtë komunë.
“Istogut i duhet një teleferik! Një projekt që do t’i japë frymë të re zhvillimit të turizmit malor dhe do t’i afrojë më shumë njerëzit me bukuritë e bjeshkëve tona. Një teleferik nuk është vetëm një investim në turizëm, por edhe një urë që lidh njerëzit me natyrën dhe krijon mundësi të reja për zhvillim, punësim dhe jetë më të mirë në Istog. Me mbështetjen e investitorëve gjermanë do të ndërtohet teleferiku që lidh Istogun me bjeshkët, duke e bërë qytetin destinacion të veçantë turistik”, ka premtuar Blakaj.
Në Rahovec, kryetari dhe kandidati për një mandat tjetër, Smajl Latifi, ka përuruar një fushë sportive, duke thënë se investimet për të rinjtë do të vazhdojnë.
“Kjo është fusha e 18-të sportive që e përurojmë gjatë këtij mandati, krahas ndërtimit të kompleksit sportiv te Epopeja e UÇK-së mbi qytetin e Rahovecit. Ta gëzojnë nxënësit dhe të rinjtë e fshatrave Pataqan i Epërm dhe Nashpall”, ka thënë ai.
Edhe kandidatë të tjerë të AAK-së kanë zhvilluar aktivitet elektoral, gjatë të cilit kanë prezantuar programet dhe kanë kërkuar mbështetje për zgjedhjet e 12 tetorit.
