Kandidati i Bashkimit Demokratik për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka premtuar se, nëse e merr besimin qytetar, gjatë qeverisjes së komunës do të bëhet menaxhim më i mirë i tregjeve.
Ai ka thënë se tregjet duhet të jenë të pastra, me mbikëqyrje për çmime dhe mbrojtje të konsumatorit.
“Pamjet që jeni duke parë nuk vijnë nga Kabuli apo Kandahari i Afganistanit. Këto janë pamjet e tregjeve në Prizren. Në qytetin e kulturës, traditës, në qytetin e inspirimit dhe të vlerave. Këto tregje tash e 20 vjet menaxhohen nga para-politika e subjekteve që kanë qeverisur Prizrenin. Të nderuar qytetarë të Prizrenit, a mendoni se duhet të vazhdohet në Prizren me këto tregje”, ka pyetur ai, dhe deklaratës ia ka shoqëruar videon me pamje nga tregjet.
Berisha ka thënë se përveçse do të investohet që këto tregje të jenë të pastra, do të mbikëqyren edhe çmimet e do të mbrohet edhe konsumatori.
Ai është zotuar se do të promovohen produktet vendore, me qëllim që me to tregtarët lokalë të kenë qasje në tregjet moderne.
