Zgjedhjet lokale

Anëtarët e KQZ-së ngrenë dyshime për disa OJQ që synojnë vëzhgimin e zgjedhjeve, kërkojnë sqarime

kqz

Foto: Driton Paçarada

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë diskutuar për numrin e vëzhguesve që organizatat i kanë dërguar për akreditim. Dyshime ka pasur edhe për veprimtaritë e tyre.

Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi ka thënë se nuk ka dëgjuar më herët për organizatën “Fuqia e Zërit” derisa ka vlerësuar se numri i vëzhguesve të cilët ajo i ka dërguar për akreditim është shumë i madh.

“Ishte një organizatë që s’kam dëgjuar përpara e me numër shumë të madh të vëzhguesve. A ka mundësi vetëm ndonjë sqarim sepse vërtetë unë s’kam dëgjuar për këtë organizatë joqeveritare e numri është shumë i madh. Kur më thuhet që më 23 shtator është organizu një organizatë dhe me 1 tetor vjen me 259 vëzhgues unë shumë po dyshoj”, ka thënë ai.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala ka thënë se njëra prej kritereve që kërkohet është që organizatat të jenë të regjistruara sipas ligjeve në fuqi.

“Dokumentacioni që i kërkohet është në rregullën zgjedhore. Zyra nuk e ka obligim. E trajton veç dokumentacionin”, ka thënë ai.

Anëtari Arianit Elshani ka thënë se kjo organizatë ka dërguar numër shumë të madh në krahasim me organizatat e tjera.

“Unë nuk jam për miratimin e të gjithave dhe rekomandoj që të votohen veç e veç secila organizatë. Të tjerat të kemi mundësi për rishikim nga zyra”, ka thënë ai.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Alban Krasniqi ka thënë se trajtimi i organizatave që paraqiten për akreditim është shumë teknik.

“Ekziston rreziku permanent i futjes së ndikimeve të huaja nën petkun e vëzhguesve. Nuk është kaq lehtë... vjen dikush me 200, 40 a 50 anëtarë që këqyrin me i vëzhgu”, ka thënë ai. “Funksionimi i këtyre organizatave duhet me qenë parakusht. Këtu kemi organizatave tërësisht të reja anonime të panjohura që kanë sjell numër të madh të vëzhguesve. Organizatë joqeveritare për njohuri të juaja është ajo organizata joqeveritare e cila ka shku më 2014 edhe ka bo invazion në Krime. Veç me kuptu çka mundet me u fsheh nën petkun e organizatave.  Duhet me pas një dakordancë se cilat kalojnë dhe me pas shtyrje të afatit për të tjerat”.

Anëtari Muharrem Nitaj ka thënë se numri prej 259 i vëzhguesve i një organizate është më tepër se sa 1/4 e numrit të vëzhguesve.

“Mendoj që ne kemi mungesë të informacioneve prej shumë këtyre organizatave që janë të listume. Ne mundemi edhe me gabu e me ju hy në hak dikujt... propozoj që të plotësohet kjo dosje dhe zyra t’i ketë krejt informacionet e duhura dhe krejt listën ta diskutojmë dhe miratojmë ditën e nesërme ose të shtunën dhe të mos ngutemi”, ka thënë ai.


Akreditohen një pjesë e organizatave për vëzhgim të zgjedhjeve, të tjerave do t’u rishikohet dokumentacioni

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë akredituar një pjesë të organizatave të cilat kanë aplikuar për vëzhgim të zgjedhjeve.

Për pjesën tjetër të organizatave që nuk janë akredituar ende, do të rishikohet dokumentacioni dhe do të dërgohet për miratim në mbledhjet tjera.

KQZ mori vendim për akredtimin e 521 vëzhguesve, për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 26 organizata vëzhguese, si: organizata ndërkombëtare, organizatave jo-qeveritare dhe përfaqësi diplomatike në Republikën e Kosovës.

 

Organizatat e rrumbullakuara do t’u rishikohet dokumentacioni