Edhe një grup i vëzhguesve prej nëntë organizatave ka mbetur pa u akredituar për monitorimin e procesit zgjedhor që do të zhvillohet më 27 dhe 28 dhjetor. Të hënën, KQZ-ja ka miratuar kërkesat e mbi 18 mijë vëzhguesve, derisa 852 sosh i ka akredituar në mbledhjet paraprake
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të vëzhgohen nga mbi 19 mijë vëzhgues.
Të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar grupin e katërt me 18 mijë e 233 vëzhgues, derisa në mbledhjet e kaluara edhe 852 të tjerë.
Listës së vëzhguesve i prijnë ata të subjekteve politike, pasuar nga organizatat joqeveritare dhe mediat.
Nga subjektet politike janë akredituar 17.614 vëzhgues; nga OJQ-të vendore 764; nga mediat vendore 443; nga organizatat ndërkombëtare 121; nga institucionet shtetërore 66; nga mediat ndërkombëtare 64 dhe nga përfaqësitë diplomatike 13.
“Ka mbetur edhe grupi i fundit, diku janë rreth 9 organizata që zyra është duke i trajtuar dokumentacionit po besoj që në mbledhjen e radhës që mundet me u mbajt nesër mundet me pas, do të jenë të gatshme edhe rekomandimet”, ka thënë Besnik Buzhala, ushtrues detyre i kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së.
Në mbledhjen e KQZ-së është diskutuar edhe mënyra e numërimit të votave me postë.
Nga PDK-ja është kërkuar që ndarja e votave gjatë numërimit të bëhet në bazë të shteteve ku votohet e jo të komunave nga janë votuesit, por nga Sekretariati kanë thënë se një gjë e tillë nuk është e mundur.
“Numërimi i votimit me potë të bëhet në bazë të shteteve se prej nga votojnë qytetarët dhe jo në bazë të komunave të Kosovës meqenëse jemi duke folur për një zonë zgjedhore. Ky koment është dhënë për shqyrtim në sekretariat, sekretariati nuk e ka shtjellu dhe e ka sjellë për rekomandim këtu por rekomandimi i këshillit ka qenë që kjo të miratohet në parim”, ka deklaruar Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ.
Kërkesa e tij ka marrë përgjigje të menjëhershme.
“Kjo është e pamundshme me u bo për shkak që duhet me u bo ndryshime në platformë e ndryshimet në platformë në jetë kohë sa ka mbetur deri në ditën e zgjedhjeve teknikisht nuk mundet me u bë”, ka thënë Buzhala.
KQZ-ja të hënën ka miratuar edhe planin e konferencave në lidhje me votimet që do të zhvillohen, fillimisht të shtunën në përfaqësi diplomatike, e më pas edhe të dielën në Kosovë.