Zgjedhjet lajme

I gjithë procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë para datës 25 qershor

115 kutitë e votimit që u rikthyen dje për rinumërim nga KQZ-ja, ende nuk kanë përfunduar. Numërimi i tyre u kthye nga fillimi për shkak të disa parregullsive.

Koordinatori i qendrës, Burim Ahmetaj, nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë edhe rinumërim të disa kutive të votimit, raporton KTV.

Ende nuk ka filluar numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe as i atyre me postë. Por, Ahmetaj thotë se numërimi i tyre do të fillojë kur të bëhet rinumërimi i 115 kutive të votimit.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i 115 kutive të votimit, të cilat u rikthyen në rinumërim dje. Zyrtarë të QNR-së shpresojnë se deri në fund të javës së ardhshme të përfundojë në tërësi procesi i numërimit të votave.

Me përfundimin e tërësishëm të numërimit të votave, do të dihen pastaj edhe deputetët e subjekteve politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend.