Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të dërgojë në rinumërim 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme, kryesisht teknike.
Vendvotimet i takojnë komunave të ndryshme. Tetë janë për zgjedhjet për kryetarë të komunave e 15 tjera për zgjedhjet për kuvende komunale.
Procesi i numërimit të tyre do të fillojë pasditen e sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
KQZ-ja ka lënë mundësinë që të shtohen në këtë listë edhe ndonjë vendvotim tjetër.
Në QNR pritet që gjatë kësaj jave të fillojë edhe numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura përmes postës nga votuesit nga jashtë.
Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka treguar se gjatë pranimit të materialeve në QNR një numër i vendvotimeve nuk ka mundur të procesohen si të rregullta, shkaku i disa parregullësive, si ndërrimit të numrave të sigurisë, mospërputhje të numrit të votuesve me kusht dhe numrit të fletvotimeve me kusht.
Rinumërimi fillon nga ora 17:00.