Rinumërimi i 914 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë. Procesi po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ku numërimi bëhet në 20 tavolina dhe brenda një dite planifikohet të rinumërohen mesatarisht rreth 80 kuti votimi, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Në QNR tashmë ka nisur rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ-ja ka marrë vendim për rinumërim në mbledhjes e së martës.
Në total, KQZ-ja ka vendosur të rinumërojë 914 vendvotime nga 2,557 sa ishin gjithsej në procesin e rregullt të votimit në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor, që përbëjnë rreth 36 për qind të vendvotimeve.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve. Këto janë: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu. Ndërkohë, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Ky vendim i KQZ-së vjen pas gjetjeve nga verifikimi i votave të kandidatëve për deputetë në 33 vendvotime, ku është konstatuar se votat e numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me numrin e votave të evidentuara në fletëvotime.
KQZ-ja ka theksuar se rinumërimi i votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor, duke synuar verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve.
Ky proces pritet ta vonojë shpalljen përfundimtare të rezultateve e më pas certifikimin e tyre.