Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke lënë në fuqi gjobën prej 5,100 eurosh të shqiptuar për përfshirjen e një të miture në fushatë zgjedhore.
PZAP-ja kishte pranuar si të bazuara ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për këtë çështje, duke konstatuar shkelje të rregullave zgjedhore nga LVV-ja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas vendimit të Gjykatës Supreme, më 31 maj, gjatë një tubimi zgjedhor të LVV-së në Vushtrri, një vajzë 10-vjeçare kishte dalë në skenë dhe kishte recituar para të pranishmëve, e veshur me veshje që përmbanin logon e subjektit politik.
LVV-ja kishte pretenduar se e mitura nuk ishte pjesë e programit zyrtar të tubimit, nuk ishte angazhuar nga subjekti politik dhe se paraqitja e saj kishte qenë iniciativë personale, në prani të prindit të saj.
Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk e ndryshojnë faktin se e mitura kishte marrë pjesë aktivisht në një aktivitet zgjedhor. Sipas gjykatës, për ekzistimin e shkeljes nuk është me rëndësi se kush e ka iniciuar pjesëmarrjen apo nëse ajo ishte planifikuar paraprakisht.
Kolegji i Gjykatës theksoi se rregullorja zgjedhore ndalon angazhimin e personave nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore dhe se organizatori i aktivitetit mban përgjegjësi për personat që paraqiten në skenë gjatë tubimeve politike.
Duke u bazuar në qëllimin e dispozitave ligjore për mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe ndalimin e përfshirjes së tyre në aktivitete zgjedhore, Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i mbështetur në ligj, duke refuzuar ankesën e LVV-së dhe duke lënë në fuqi gjobën prej 5,100 eurosh.