Në shpalosjen e planprogramit, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme nacionale të 7 qershorit, ka premtuar mes tjerash që nga viti 2026 të nisë përcaktimi me ligj i pagës së 13-të për sektorin publik dhe privat, derisa shtoi se synimi i Qeverisë mbetet planifikimi gradual i pagës së 14-të.
“Nga viti 2026 do të nisim përcaktimin me ligj të pagës së 13-të për sektorin publik, por edhe për sektorin privat. Pas dialogut me sektorin privat, synimi ynë është që në bashkërendim me bizneset dhe me punëtorët ta planifikojmë gradualisht edhe pagën e 14-të. Sepse, çdo familje duhet të ketë më shumë siguri për pushimet, për shpenzimet sezonale dhe nevojat familjare. Ndërkaq, bizneset të kenë më shumë stabilitet, më pak largim të punëtorëve dhe fuqi punëtore më të sigurt e më të motivuar”, tha Kurti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri në detyrë, premtoi edhe valutë digjitale të Kosovës për pagesa digjitale.
Kurti premtoi edhe nisjen e procesit të themelimit të një kompanie ajrore me kapital publik. Ai gjithashtu deklaroi se në të njëjtën kohë do të bëhet edhe trajnimi i certifikimit të stafit.
Kurti ka përmendur në program edhe formimin e xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, për të cilën ka thënë se do ta ketë mision mbrojtjen e integritetit territorial.
Ka premtuar që për 4 vjet të shpenzohen mbi 1 miliardë euro për ushtri.
Ai po ashtu ka folur për zhvillim të industrisë ushtarake “Made in Kosovo”.
“Fokus do të jetë prodhimi i dronëve ushtarakë dhe teknologjive të avancuara për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse”, tha Kurti.
Po ashtu ai ka thënë se do të krijohet një njësit ushtarak i përbashkët me forcat e armatosura të Shqipërisë.
Ai ka thënë se në zgjedhjet e 7 qershorit synon mbi 60 për qind të votave.
“Kur 51.1 për qind s’janë mjaftueshëm, atëherë besojmë e shpresojmë e urojmë që 60 për qind e më shumë do të jenë mjaft e inati i bllokut opozitar nga viti i kaluar, që është zbehur këtë vit, do të pashitet plotësisht pas zgjedhjeve të radhës”, tha Kurti.
Kandidati i LVV-së për kryeministër përsëriti premtimin për heqjen e 10% të taksës doganore për veturat të cilat vijnë nga Evropa.
Në kuadër të ndihmës për familjen Kurti premtoi sërish 100 euro krahas pensionit për gjyshërit të cilët kujdesen për nipërit dhe mbesat deri në 36 muaj.