Përditësim, 23:06 - Në Qendrat Komunale të Numërimit janë verifikuar votat për subjektet politike nga 2290 prej 2557 qendrave të votimit, përkatësisht nga 89.56% të qendrave të votimit. Nga këto qendra janë numëruar edhe votat për kandidatë për deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 48.84 për qind, pasuar nga PDK-ja me 21.39 për qind, LDK-ja me 12.89 për qind dhe AAK-ja me 5.70 për qind.
Sa i përket kandidatëve për deputetë shtatë prej tyre kanë kaluar shifrën e 100 mijë votave, bazuar në numërimin e votave nga 89.56 për qind të qendrave të votimit, gjashtë prej tyre nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga radhët e VV-së më të votuarit janë Albin Kurti me 311 mijë e 573 vota, pasuar nga Glauk Konjufca me 241 mijë e 582, Albulena Haxhiu me 127 mijë e 114 vota, Hekuran Murati me 125 mijë e 901 vota, Donika Gërvalla-Schwarz me 113 mijë e 570 vota dhe Xhelal Sveçla me 100 mijë e 883 vota.
Shifrën e 100 mijë votave e ka kaluar edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza. Ai deri më tash ka mbledhur 140 mijë e 461 vota.
Në këto vota nuk llogariten edhe votat me kusht dhe ato nga jashtë.
Të premten do të nisë numërimi i rreth 27 mijë votave nga diaspora.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u mbajtën me 28 dhjetor.
Numërohen mbi 80 për qind të votave, këta janë dhjetë kandidatët më të votuar
Përditësim, 18:43 - Janë verifikuar votat për subjekte politike në 2073 nga 2557 qendra të votimit, pra nga 81.07 për qind të vendvotimeve e po ashtu nga këto qendra janë numëruar edhe votat e kandidatëve për deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 48.58 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.64 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.78 për qind.
E në dhjetëshen e kandidatëve më të votuar nëntë janë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ku kryeson Albin Kurti me 282 mijë e 340 vota.
Bedri Hamza i PDK-së po ashtu është në mesin e më të votuarve. Ai ka 129 mijë e 568 vota dhe aktualisht është i treti më i votuari pas Kurtit dhe Glauk Konjufcës (219 mijë e 617 vota).
Më poshtë listat e dhjetë kandidatëve më të votuar të partive më të mëdha shqiptare.
Lëvizja Vetëvendosje:


Partia Demokratike e Kosovës:


Lidhja Demokratike e Kosovës:


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:


Rifillon procesi i numërimit në 11 komuna
Përditësim, 16:30 - Të enjten nga ora 16:00 ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve për subjektet politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se ka rifilluar procesi në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.
Deri më tash janë procesuar 2009 nga 2557 vendvotime, apo 78.57 për qind.
“Të enjten (1 janar 2026, ora 16:00) në 11 komuna ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat ka rifilluar procesi, u takojnë këtyre komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj, dhe Suharekë. Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 2,009 nga 2,557 vendvotime apo më shumë se 78.57%”, ka njoftuar Elezi.
Pas verifikimit të votave nga 78.57 për qind të vendvotimeve, kryeson Lëvizja Vetëvendosje me 48.48 për qind. Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21.72 për qind e Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 12.7 për qind.
E nëntë prej dhjetë kandidatëve më të votuar janë nga Vetëvendosja. Albin Kurti (273.977), Glauk Konjufca (213.339), Albulena Haxhiu (112.175), Hekuran Murati (110.822), Donika Gërvalla-Schwarz (99.966), Xhelal Sveçla (89.070), Hajrulla Çeku (80.651), Avni Dehari (73.692), Mimoza Kusari Lila (66.930) janë në mesin e dhjetë më të votuarve.
Në këtë mes është edhe kreu i PDK-së Bedri Hamza (126.348).
Nga ora 16 pritet të vazhdojë numërimi i votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar në natën e ndërrimit të motmoteve, se numërimi i cili u ndërpre të mërkurën, do të vazhdojë sot nga ora 16:00.
Siç ka bërë të ditur KQZ-ja numërimi do të vazhdojë në 11 komuna.
Komunat ku ka mbetur pa u përfunduar procesi i numërimit janë Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.