Një nga problematikat kryesore ndaj fermave, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është qasja jokorrekte e politikave ditore ndaj fermerëve.
Një gjë të tillë e ka thënë Adil Maloku, kandidat për deputet nga AAK-ja, në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ku sipas tij fermerët janë në një formë të shkëputur nga realiteti në të cilin jetojmë.
Ai ka thënë se AAK-ja, në kuadër të vetin, ka një planprogram për industrinë e prodhimtarisë bujqësore.
“Rritjen e subvencionimit për fermerë, sigurimin e formave shtesë të financimit për fermerët, për shkak se fermerëve u mungojnë pajisje moderne në bujqësi. Bujqësia në formë globale po avancon jashtëzakonisht shumë dhe po t’i shikojmë fermerët tanë, ata kanë mbetur shumë mbrapa me makineri bujqësore dhe pajisje të tjera. Me anë të trajnimeve të ndryshme dhe subvencioneve të ndryshme, fermerët do ta rrisin nivelin e tyre të avancimit, sepse ndodhemi në rajon më së keqi. Do të ketë shumë ndihma, përkrahje dhe krijim të klimës për zhvillimin e fermerëve”, ka thënë Maloku.
Ai ka përmendur edhe masat e Bashkimit Evropian, për të cilat tha se e kanë dëmtuar ndjeshëm bujqësinë, duke e veçuar si problem edhe sistemin e ujitjes. Sipas tij, AAK-ja ka premtuar ndarjen e 100 milionë eurove për kanale dhe sisteme të ujitjes.
“Fermerët janë dëmtuar shumë edhe nga masat e Bashkimit Evropian, që do të thotë se shteti ynë i ka humbur 800 milionë euro të dedikuara, por që janë të pezulluara për momentin. Një pjesë e tyre do të shkonte për t’u investuar në bujqësi, por fatkeqësisht, kur e merr kohën dhe i merr fqinjët tanë, ata po avancojnë si me mjete bujqësore ashtu edhe me aparatura, dhe ne po stagnojmë. Veç Shqipëria i ka të investuara vitin e kaluar, të përfituara nga Bashkimi Evropian, 135 milionë euro. Pra, si Aleancë e shohim problematikë kryesore edhe sistemin e ujitjes në Kosovë. Për shkak të thatësisë së madhe, ne nuk mund t’i ujitim tokat tona, edhe pse jemi një vend që kemi ujë në masë të madhe. Prandaj, si Aleancë kemi të planifikuara për katër vjetët e ardhshëm ndarjen e 100 milionë eurove për kanale dhe sisteme të ujitjes”, ka thënë ai.
Maloku ka thënë gjithashtu se problemet në bujqësi vijnë si pasojë e faktit se personat që kanë udhëhequr Ministrinë e Bujqësisë nuk kanë pasur përgatitjen e duhur.