Kontaminimi i tokave është një problem i madh dhe bazë esenciale, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Adil Maloku, kandidat për deputet nga kjo parti, ka thënë se ky problem vjen si pasojë e mungesës së kolektorëve për pastrimin e ujërave të zeza.
“Kjo është një problem i madh, pasi komunat nuk kanë kapacitet buxhetor ta bëjnë as një të vetëm. Gjithashtu, nuk është e mundur që çdo fshat të ketë kolektor, sepse ato janë projekte të kushtueshme dhe afatgjata, për të cilat besoj që nuk do të mjaftojnë as fondet që i ka Qeveria e Kosovës”, ka thënë Maloku.
Ai po ashtu e ka akuzuar kandidaten për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, me të cilën ishte përballë në këtë debat, se partia e saj nuk punon njësoj për të gjitha komunat.
“Ka projekte që janë edhe nga Bashkimi Evropian, por edhe nga qeveria, dhe po punohet në atë drejtim. I them znj. Pacolli që komunat nuk kanë kapacitet të ndërtojnë impiante për pastrimin e ujërave të zeza. Prandaj, ajo që do ta lutesha znj. Pacolli është që nuk ka qenë as mirë në të kaluarën që investimet të bëhen vetëm në komunat që i udhëheq VV-ja, por t’i shikojnë edhe komunat që nuk i udhëheq VV-ja”.
AAK-ja, në programin e saj, ka paraparë se Kosova nuk është e pasur me burime ujore, prandaj është thelbësore të ndërtohet një qasje e re për menaxhimin e integruar të tyre.
Sipas programit, parashikohet realizimi i reformave dhe forcimi i kapaciteteve për të rritur cilësinë e shërbimeve ujore ndaj publikut.
Po ashtu sipas tyre do të përgatiten plane për menaxhimin efektiv të baseneve kryesore ujore, veçanërisht të lumenjve dhe liqeneve, ndërsa vëmendje e veçantë do t’u kushtohet burimeve ujore të dëmtuara nga aktivitetet e paligjshme apo ndotja mikrobiologjike dhe kimike.