Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2025

Vetëvendosje merr gjithçka

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme të së dielës. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV-ja ka rritjen më të madhe me 49.3 për qind të votave ose rreth 430 mijë vota, 7 për qind më shumë krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, pa i llogaritur votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Ky rezultat ia mundëson asaj ta krijojë qeverinë e vetme, me komunitetet joshumicë joserbe. Në vendin e dytë renditet PDK-ja me 21,01 për qind, derisa rënien më të madh e ka pësuar Lidhja Demokratike duke rënë nën 14 për qind

Prokurori i Shtetit: Asnjë i ndaluar për vepra penale në këto zgjedhje

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:58
zgjedhje

Photo: Driton Paçarada

Prokurori i Shtetit përmes një njoftimi ka thënë se në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit, asnjë person nuk ka qenë i ndaluar për vepra penale.

Gjatë ditës së sotme sipas njoftimit, janë pranuar informata dhe pas verifikimit, deri në mbylljen e procesit të votimit, u konstatua se vetëm pesë prej tyre paraqesin elemente të veprës penale kundër të drejtave të votimit.

“Rasti i parë është iniciuar në fshatin Ranillug –Gjian, për veprën penale nga neni 210 i Kodit Penal të Kosovës: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i dytë është iniciuar në Zhegër - Gjilan, për veprat penale nga nenet 214 dhe 215 të Kodit Penal të Kosovës “Pengim i procesit të votimit” dhe “Cenimi i fshehtësisë së votimit”,  ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i tretë është iniciuar në Prizren, për veprën penale nga neni: 217 “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i katërt është iniciuar në Drenas, për veprën penale nga neni: 215  “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Edhe rasti i pestë është iniciuar për “Cenim të fshehtësisë së votimit” në Suharekë”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.

Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.

Nis publikimi i rezultateve preliminare

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:50
25 dhjetor zgjedhjet

Photo: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Ndiqni live rezultatet KËTU

Në Prishtinë votuan 53.5 për qind

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:47
Zgjedhjet e parakohshme

Photo: Driton Paçarada

Në Prishtinë në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës të dielën votuan 117 mijë e 447 qytetarë apo 53.5 për qind të qytetarëve me të drejtë vote. 

Prishtina është në mesin e komunave me daljen më të madhe. Më tepër janë vetëm Mamusha 63.76 për qind, Zubin-Potoku 56.45 për qind, Leposaviqi 56.35 për qind, Ranillugu 55.05 për qind e Novobërda 54.6 për qind. 

Dalje mbi 50 për qind ka pasur edhe në Kaçanik (52.84 për qind), Shtërpcë (52.22 për qind), Shtime (rreth 51.5 për qind), Obiliq (50.21 për qind). 
 

Muhaxhiri: Opozita ia dhuroi VV-së një fitore spektakolare

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:46
Muhaxhiri: Opozita ia dhuroi VV-së një fitore spektakolare

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se fitorja e thellë e Vetëvendosjes sipas exit-polleve të publikuara, është tregues që “opozita ia dhuroi fitoren spektakolare”.

“Opozita ia ka dhuruar VV-së një fitore spektakolare, sepse pas 5 vjetëve në pushtet pas një viti bllokues, pas shkeljeve të panumërta të Kushtetutës, mungesës së zhvillimit ekonomik e prishjes së raporteve me aleatët... s’ka logjikë tjetër pos asaj që edhe përkundër gjithë mangësive, qytetarët e kanë konsideruar opozitën si më të dëmshme se VV-në”, ka thënë ai në debatin në KTV për zgjedhjet parlamentare të mbajtura sot.

Sipas exit-polleve të publikuara në disa televizione, VV-ja ka shënuar rritje prej zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa partitë tjera rënie. VV-ja ka pasur në zgjedhjet e shkuara rreth 42.3 për qind.

Gërvalla: Faleminderit Kosovë

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:30
Donika Gërvalla

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e partisë Guxo, parti që garoi me LVV-në e Alternativën, Donika Gërvalla, pas përfundimit të procesit të votimit ka shkruar në rrjetin e saj social Facebook, “Faleminderit Kosovë”.

Sipas exit-polleve të publikuara, fitues i zgjedhjeve është ky koalicion.

Thyhet rekordi i votave në vendvotimet në Kosovë

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:22
diaspora

ilustrim

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë hyrë në histori sa i përket daljes së qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës. Sipas procesimit të më shumë se 99.57 për qind të vendvotimeve, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 899, 567 qytetarë.

Në përqindje, kjo do të thotë se të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 45.00 për qind e atyre me të drejtë vote.

Rekordi i mëhershëm ishte vendosur më 9 shkurt sivjet. Atë kohë në qendrat e votimit në Kosovë kishin votuar 871 mijë e 662 votues. Ndërkaq bashkërisht me votat e diasporës dhe atyre në përfaqësi, numri kishte mbërritur në 966 mijë vota.

Zgjedhjet kanë përkuar këtë herë me kohën e pushimeve. Qindra mijëra qytetarë nga mërgata janë në Kosovë dhe kjo ka qenë kryetemë javëve të fundit.

Kurti bën thirrje të ruhen votat

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:19
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kandidati për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti, ka bërë thirrje që komisionerët e vëzhguesit të ruajnë votat, tashmë kur ka përfunduar procesit i votimit dhe ka filluar numërimi.

“Vullneti i qytetarëve tashmë gjendet në kutitë e votimit. Ruajtja e këtij vullneti të shprehur është esencial për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor. Aty e kemi përcaktimin për të ardhmen e vendit tonë dhe të institucioneve të tij. E për këtë gjë, mendjet, sytë dhe veshët tanë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Keni detyrë tejet të rëndësishme saqë vendimtare”, ka thënë Kurti përmes një videoje të publikuar në rrjetin e tij social Facebook.

Përfundon periudha e votimit

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:00
votimi

Photo: Driton Paçarada

Në orën 19:00 ka përfunduar periudha e lejuar për të hyrë në qendrat e votimit për të votuar.

Ata që janë në qendrat e votimit kanë të drejtë ta përfundojnë votimin.

Deri në orën 17:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar më shumë se 770 mijë votues apo rreth 39 për qind e atyre me të drejtë vote.

Pula: Ka incidente, por nuk ka persona të ndaluar

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 18:54
Laura Pula

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula ka deklaruar se gjatë procesit të sotëm zgjedhor nuk është shënuar ndonjë rast i cili e dëmtoi integritetin e procesit, por janë evidentuar disa incidente për të cilat nuk ka persona të ndaluar, por vetëm të intervistuar.

Ajo deklaroi se aty ku është gjetur elemente të veprës penale kanë filluar hetimet dhe vazhdojnë tutje.

“Përgjithësisht ka shkuar mirë, nuk kemi ndonjë rast eklatant i cili e ka dëmtuar integritetin e këtij procesi zgjedhor kemi incidente të ndryshme të cilat e kanë ndodhur dhe kemi raportuar dhe aty ku kemi gjetur elemente të veprës penale vetëm kemi filluar hetimet në disa raste dhe hetimet vazhdojmë më tutje”, tha ajo për “KosovaPress”.

Prokurorja, Laura Pula tha se vepra penale kanë pasur të bëjnë me cenim të përcaktimit të lirët të votuesit, ku në këtë rast është intervistuar kryetarja e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiq, si dhe dy raste të tjera që përbëjnë vepër penale.

“Pothuajse vepra penale ishin cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve ku është marr në pyetje kryetarja e komunës së Ranulligut është intervistuar e kemi një vepër penale tjetër e asgjësimi e dokumenteve të procesit zgjedhor që ka ndodhur tek një person i cili e ka shqyer fletëvotimin për faktin se ka pas dëshirë ta asistojë gruan për të votuar dhe nuk e kanë lejuar për shkak se dokumenti mjekësor nuk ka qenë në rregull...Kemi përleshjen në Zhegër e cila ka korresponduar vetëm me intervistim. Persona të ndaluar nuk kemi raste, kemi 3 raste incidente po janë duke u trajtuar edhe raste të tjera por deri në përfundim të shikojmë pas hetimeve që nga një incident a na del ndonjë raste konkrete me përgjegjësi penale”, tha ai.

Edhe në këtë proces zgjedhor të parakohshëm parlamentar të 28 dhjetor janë 4 ose 5 raste të fotografimit të votës, por pas intervisitmit këta persona janë liruar.

Sipas Pulës, rastet e fotografimit të votës ka qenë në Rahovec, Prizren dhe Pejë.
 

Graçanicë, shoqërohet në polici një i dyshuar për ndikim te qytetarët për votë

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 18:29
Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është shoqëruar në stacionin policor në Graçanicë pas dyshimit se ka ndikuar te qytetarët për të votuar dhe po ashtu ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, që të asistohen gjatë votimit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se ka pranuar një informatë anonime lidhur me dyshimet se një person M.S., ka ndikuar te qytetarët për të votuar dhe po ashtu ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që personat të asistohen gjatë procesit të votimit. Personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Tutje sipas raportit thuhet se “gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i njëjti është intervistuar nga organet komptente”.

DnV-ja thotë se në dy qendra të votimit po raportohet për probleme me rrymë

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 18:21
Zgjedhjet

Photo: Driton Paçarada

Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se dy orë para përfundimit të procesit të votimit janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit, ndërsa në një vendvotim tjetër është evidentuar problem me mospërputhjen e kodeve në fletëvotime.

Sipas DnV-së, pas dhjetë orësh nga hapja e vendvotimeve, procesi zgjedhor në përgjithësi po zhvillohet i qetë, ndërsa është vërejtur një rritje e interesimit të qytetarëve për të votuar. Dalja në votime deri në orën 17:00 ka arritur rreth 38,9 për qind, pothuajse e njëjtë me zgjedhjet e 9 shkurtit, kur në të njëjtin interval kohor pjesëmarrja ishte rreth 39 për qind.

Rajonet me dalje më të lartë në votime janë komunat me shumicë serbe me rreth 47 për qind, të pasuara nga rajoni i Prishtinës me rreth 43 për qind.

DnV ka evidentuar edhe disa parregullsi gjatë procesit të votimit. Një ndër më të shpeshtat mbetet vështirësia e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë. Këto probleme janë raportuar në rreth 70 për qind të vendvotimeve, ndërsa në 15 për qind të tyre janë shënuar deri në 30 raste të tilla.

Sa i përket votimit me asistencë, DnV thekson se trendi ka mbetur i ngjashëm me orët e mëngjesit, por i shtrirë në më shumë vendvotime. Në 9 për qind të vendvotimeve janë raportuar raste të mosevidentimit të votimit me asistencë. Po ashtu, në 75 për qind të vendvotimeve, komisionerët kanë kërkuar dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me asistencë, ndërsa në 55 për qind të vendvotimeve votimi me asistencë nuk është lejuar pa këto dokumente, pavarësisht insistimit të votuesve.

Probleme janë raportuar edhe me votimin me dokumente të pavlefshme. Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 30 për qind të vendvotimeve, ndërsa në 10 për qind të tyre janë evidentuar raste të identifikimit me dokumente jo valide.

DnV ka raportuar edhe për raste të izoluara të fotografimit të votës, duke e cilësuar këtë dukuri si cenim të fshehtësisë së votimit dhe potencialisht të lidhur me blerjen e votës, frikësimin e votuesve apo shtrembërimin e vullnetit të tyre. Deri në orën 17:00 janë shënuar gjithsej 21 raste të tilla, të evidentuara në rreth 3 për qind të vendvotimeve.

Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e procesit deri në mbylljen e vendvotimeve dhe do të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të ri.

Rreth 760 mijë qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës deri në orën 17:00

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 17:26
vota

Photo: Driton Paçarada

Saktësisht 759 mijë e 877 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në orën 17:00, sipas procesimit të 97.54 për qind të vendvotimeve në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në përqindje kjo nënkupton se të drejtën e votës deri tash e kanë shfrytëzuar 38.01 për qind e atyre me të drejtë vote.

Në zgjedhjet e shkurtit, në nivel vendi patën votuar 966 mijë votues, përfshirë votat e diasporës. Në shkurt ishte numri më i madh i votuesve ndonjëherë.

Palokaj: Diaspora vazhdon të jetë e lidhur me Kosovën, kjo dëshmohet edhe me pjesëmarrjen në zgjedhje

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 17:24
Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se diaspora e Kosovës është mjaft e angazhuar politikisht dhe e lidhur me Kosovën. Palokaj ka thënë se kjo dëshmohet edhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje. 

“Diaspora e Kosovës është mjaft e angazhuar politikisht. Vazhdon të jetë e lidhur me Kosovën dhe ta ndien atë lidhje, që dëshmohet edhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje që nuk shihet aq shumë te disa popuj tjerë. Kosova është prapë një fenomen, ka qenë gjithmonë. Politika e Kosovës prej që e mbaj mend unë, nuk është zhvilluar asnjëherë pa pjesëmarrjen aktive të diasporës në të gjitha partitë politike, në të gjitha strukturat intelektuale, mediatike, madje edhe ushtarake. Kjo nuk është varur nga përkatësia partiake e nuk varet as tani. Fakti se në një moment të caktuar diaspora më shumë voton për një parti apo një tjetër, pak a shumë reflekton edhe situatën në Kosovë. Ndoshta ka ndonjë tendencë pak të ndryshme, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh”, ka thënë Palokaj në “Zgjedhjet në KOHË”. 

VIDEO:

Palokaj ka treguar edhe që diaspora e kishte shpëtuar Rumaninë nga ndikimi rus. 

“Ka shtete ku kanë diasporë të madhe. Rumania ka me miliona. Me përqindje krahasuar me popullin që jeton në vendin amë nuk është aq sa e Kosovës, por Rumania ka mbi 20 milionë banorë dhe ka diasporë të madhe. Diaspora rumune ka qenë kyç për të parandaluar fitoren e forcave proruse në Rumani. Po ashtu edhe Moldavi, ku ishin zgjedhjet dhe referendumi për t’iu bashkuar BE-së. Falë votës proevropiane të diasporës, pasi ajo ndodhet kryesisht në BE, fituan forcat proevropiane e përpak u parandalua që të ngadhënjejnë forcat proruse në ato vende”, tha Palokaj. 

Palokaj tregoi edhe dallimin mes diasporës së Kroacisë dhe të Kosovës. 

Ai ka thënë se diaspora e Kroacisë ka humbur interesimin më të votojë. 

“Unë jam shtetas i Kroacisë dhe votoj në Ambasadën e Kroacisë këtu në Belgjikë në zgjedhjet e Kroacisë. E kam vërejtur zhdukjen shumë të shpejt të vullnetit të kroatëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kroacisë. Si shembull e marr Brukselin ku nuk ka aq shumë kroatë, e po shtu edhe Dublinin në Irlandë ku janë mbi 45 mijë kroatë e nuk votojnë as 100 apo 200. Do të thotë se ata të rinj që janë larguar nga Kroacia janë shkëputur tërësisht e nuk duan të kenë më asnjë lidhje, përveçse kur shkojnë në pushime në det”, tha Palokaj. 

Ai tregoi se si në Kroaci në periudhën e pasluftës diaspora ishte jashtëzakonisht e angazhuar. 

“Kroacia është shtet ku i ka të rezervuara tri vende në Kuvend për përfaqësues të diasprës, për të vlerësuar kontributin e saj në pavarësinë e Kroacisë, financimin e luftës mbrojtëse dhe kontributin që ka dhënë në rimëkëmbjen e shtetit...Në anën tjetër Kroacia ka keqpërdorim të diasporës. Si diasporë, çdo shtetas kroat që jeton jashtë Kroacisë, e këtu konsiderohen edhe shtetasit kroatë në Bosnjë-Hercegovinë e që janë mbi 1 milion. As gjysma e tyre nuk janë kroat, por kanë shtetësinë e Kroacisë dhe rrjedhimisht ato tri vende i mbushin kroatët e Bosnjës. Gjithmonë ato vende i kanë fituar partitë e qendrës së djathtë”, ka thënë Palokaj.  
 

E analisti politik Adrian Zeqiri ka treguar se si në Izrael ata që nuk janë banor rezident nuk lejohen të votojnë në zgjedhjet nacionale. 

“Ka plotë shtete që përballen me votë të diasporës duke përfshirë edhe vendin prej nga lind edhe emri diasporë, Izraeli. Është komuniteti hebre që është i shtrirë gjithandej botës, duke përfshirë më së shumti në SHBA. Ka po aq hebre në SHBA ndoshta sa ka në Izrael. Mirëpo, aty pa qenë rezident në Izrael, edhe nëse e ke nënshtetësinë e nuk e dëshmon se je rezident, nuk ka të drejtë vote. Kuptimin që janë kufizuar dmth disa të drejta ndaj shtetasve izraelitë që nuk jetojnë në Izrael...Është ndryshe për dy-tri javë me ardh me jetu në Kosovë si shembull e ndryshe për ata që jetojnë për çdo ditë këtu e përballen”, tha Zeqiri. 

Diaspora e Kosovës votoi nëpër Ambasada të shtunën për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. 

Shoqërohet në Polici një person nën dyshimin për fotografim të votës

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 16:56
Arrestim

Një person është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin për fotografim të votës.

“Betimi për Drejtësi” mëson se rasti ka ndodhur në fshatin Gelanc të Suharekës.

Lidhur me procedimin e këtij rasti, ju informojmë pas përfundimit të intervistimit të të dyshuarit.
 

“Përpjekje që t’i jepet fund krizës” – titujt e mediave botërore për zgjedhjet në Kosovë

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 16:06
“Përpjekje që t’i jepet fund krizës” – titujt e mediave botërore për zgjedhjet në Kosovë

Photo: Driton Paçarada

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë kanë zënë vend edhe në ballinat e mediave më prestigjioze ndërkombëtare. “Associated Press”, “Reuters”, “The Guardian” e “Washington Post” i kanë cilësuar këto zgjedhje si përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike të sivjetme.

“Votuesit e Kosovës votojnë në përpjekje të dytë këtë vit për të zgjedhur një qeveri dhe për të shmangur më shumë krizë”, është titulli i agjencisë “Associated Press”.

Kjo agjenci ka kujtuar se që nga 9 shkurti, Kosova edhe pse mbajti zgjedhje të rregullta, partitë nuk kanë arritur të formojnë qeverinë.

Për këtë medium ka folur edhe një pensionist nga Prishtina. Ilmi Deliu ka thënë se shpreson që zgjedhjet “të sjellin ndryshim ose do të përfundojmë në humnerë”. “Të rinjtë nuk duan të jetojnë më këtu”, ka thënë ai.

Artikullin e njëjtë e ka publikuar edhe “The Guardian”.

Ngjashëm ka raportuar edhe agjencia “Reuters”. “Kosova voton në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik njëvjeçar”, mban titullin artikulli për Kosovën në “Reuters”.

Kryetarja e Ranillugut intervistohet nën dyshimin se ushtroi ndikim te votuesit

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 16:04
Tanja Antiq

Kryetarja e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiq, është intervistuar nën dyshimin se ushtroi ndikim te votuesit për votim sipas udhëzimeve të saj.

Kështu konfirmoi për KOHËN, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjilanit.

“Me datën 28.12.2025, përmes rrugëve operative kemi pranuar informacion se anëtarja e kryesisë së forumit të gruas nga partia Lista Serbe dhe aktualisht Kryetare e Komunës së Ranillugut, dyshohet se përmes anëtarëve të Komisionit Komunal zgjedhor të kësaj partie në komunën e Ranillugut ka ushtruar ndikim tek votuesit e pa përcaktuar ose votuesit e subjekteve të tjera. Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benifiteve të cilat këta qytetar i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve”, tha Hashani.

E dyshuara është intervistuar dhe ndaj saj është iniciuar rasti “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.

“E dyshuara është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale dhe intervistuar në prezencën e avokatit me qëllimi të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave. Pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është liruar, ndërsa rasti “Cenim i fshehtësisë së votimit” do vazhdoj të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore”, tha Hashani.
 

Deri në orën 15:00 votuan 28.65% të qytetarëve, mbi 14 mijë më shumë se më 9 shkurt

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 15:44
zgjedhje - 28 dhjetori 2025

Photo: Driton Paçarada

Sipas të dhënave të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri në orën 15:00 kanë votuar 28.65% të qytetarëve. 

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së deri në këtë orë të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 572 mijë e 723 qytetarë nga 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë sa kanë të drejtë vote. 

Këto të dhëna janë publikuar nga procesimi i të dhënave nga 97,15 e vendvotimeve.

Krahazuar me zgjedhjet e 9 shkurtit kanë votuar 14 mijë e 477 qytetarë më shumë. 

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se në zgjedhjet e 9 shkurtit deri në orën 15 kishin votuar 28.32%.

“Në të njëjtën kohë në zgjedhjet e shkurtit, nga rreth 91% të vendvotimeve kishin votuar 28.32% apo 558,246 votues”, ka theksuar Radoniqi.

Radoniqi ka thënë se janë raportuar probleme me energji elektrike në disa qendra votimi,

Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar disa probleme me mungesë të energjisë në 3 qendra votimi në Komunën e Skenderajt, dy në Komunën e Malishevës, dy në Novobërdë dhe Obiliq. Për këto raste është njoftuar KEDS-i për të ndërmarrë hapa për të rikthyer energjinë dhe sipas informacioneve kjo ka ndodhur shumë shpejt”, ka thënë ai.  

Deri në orën 13:00 votuan 18.59% të qytetarëve

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 14:04
zgjedhje

Photo: Driton Paçarada

Sipas të dhënave të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri në orën 13:00 kanë votuar 18.35% të qytetarëve. 

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së deri në këtë orë të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 371 mijë e 516 qytetarë nga 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë sa kanë të drejtë vote. 

Këto të dhëna janë publikuar nga procesimi i të dhënave nga 98.56% e vendvotimeve. 

 

Vështirësi në gjetjen e emrit në listën votuese e fotografime të votës - parregullsitë që gjeti DnV

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 13:52
g

Photo: Driton Paçarada

Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë. Megjithatë, DnV ka evidentuar disa parregullsi. 

Ankesa ka pasur nga votues që nuk e kanë gjetur emrin në qendrën e votimit ku janë paraqitur.

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për ta gjetur emrin në listë është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.

Por ka pasur edhe vendvotime (1,6%) ku një numër i konsiderueshëm i votuesve (deri në 30 votues) nuk e kanë gjetur emrin e tyre në listë, e këtu prijnë komunat e Prishtinës dhe Pejës.

Ka pasur disa raste kur votuesit janë ankuar që dikush tjetër është nënshkruar në emër të tyre në Listën e Votuesve dhe atë në 1.4% të vendvotimeve, njoftoi DnV.

Sa i përket votimit me asistencë,  deri në mesditë, komisionerët në 61% të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Në 35% të vendvotimeve, edhe pse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumenteve mjekësore, njoftoi tutje.

“Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, vetëm 1% prej tyre kanë votuar me asistencë. Po ashtu, në 5% të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste) ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Si trend i përgjithshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 5% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit”.

Ndërkaq, janë raportuar edhe raste të fotografimit, gjithsej 13.

“Deri në orën 12:00, raste të fotografimit të votës janë 13”, tha DnV.

DnV ka thënë se në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 22% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

 

 

Avokati i Popullit: Personave që nuk dinë shkrim-lexim nuk po u lejohet të votojnë me asistencë

10 muaj më parë / 28 dhj 2025 13:15
Majlinda Sinani - Lulaj

Zëvëndësavokatja e Popullit Majlinda Sinani-Lulaj, ka thënë se nga raportimet që kanë marrë nga kolegët në terren, ankesa ka pasur kryesisht për vështirësi në votimin me asistencë. 

Sipas saj, përveç personave me aftësi të kufizuara, që për t’iu lejuar që dikush t’i asistojë në procesin e votimit duhet të kenë një dëshmi nga institucionet aftësinë e kufizuar, as personave që nuk dinë shkrim-lexim nuk u është lejuar të votojnë me asistencë.  

“Ekziston edhe një farë konfuzioni edhe te vetë votuesit, në kuptimin  asaj që tek pasi shkojnë edhe marrin një përgjigje nga zyrtarët që janë përgjegjës se nuk mund të votojnë pa një dëshmi për aftësinë e kufizuar të personat me aftësi të kufizuara, nuk janë rehat me këtë lloj përgjigje, por gjithashtu kemi edhe rastet kur kemi personat të cilët nuk janë të aftë të shkruajnë dhe të lexojnë dhe kanë problem me procesin e votimit, për të cilët nuk ka një sqarim, ose të paktën nuk jemi në dijeni që ka një sqarim të detajuar se si duhet vepruar me ta”, ka thënë Sinani-Lulaj në emisionin Zgjedhjet në KOHË. 

Sinani-Lulaj ka thënë se edhe as personave të moshuar që kanë nevojë për asistencë nuk po u lejohet asistenca ose po kanë vështirësi për të votuar. 

Për këtë të dielën ka folur kryesuesi i Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi. 

“Për personat që nuk dinë shkrim dhe lexim nuk ka rregulla, ligji këtë kategori në 2023 e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. Sa i përket KQZ-së kemi një procedurë standarde edhe për këta persona, këtyre nuk iu mohohet e drejta e votimit, por këtyre personave asistimi nuk mund të bëhet prapa kutisë së votimit, asistimi i tyre bëhet vetëm deri tek kutia e votimit. Por mund të komunikojnë me këdo për të votuar, por votën duhet ta vendosin vetë”, ka thënë ai.