Ndonëse rinumërimi i votave në disa komuna ka nxjerrë në pah dallime të mëdha mes numërimit fillestar dhe atij përfundimtar, vetëm Prokuroria Themelore në Prizren ka kaluar në veprime konkrete hetimore. Prokuroritë e tjera themelore, përkundër se bëhet fjalë për fenomenin e njëjtë, thonë se janë ende në fazën parahetimore
Zgjerim të hetimeve për vjedhjen e votave në të gjitha komunat ka kërkuar Naim Jakaj hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Jakaj thotë se një deputet mund të fitojë mandatin edhe me vetëm dy vota më shumë se kandidati tjetër, prandaj manipulimi i qoftë edhe një vote të vetme duhet të hetohet.
“Vjedhja është vjedhje dhe prokuroritë themelore në vendet ku pretendohet se ka falsifikim të rezultatit zgjedhor qofshin ato edhe 20 vota ose 30 vota ose 200 vota, prokuroria duhet t’i intensifikoj dhe t’i zgjeroj hetimet në mënyrë që t’i përfshijë edhe ata komisionerë që kanë mundur ta deformojnë rezultatin zgjedhor”, ka thënë Jakaj.
Përpos Prokurorisë Themelore në Prizren që ka intervistuar 109 persona dhe i janë aprovuar katër kërkesa për paraburgimin e 23 komisionerëve, prokuroritë e tjera janë ende në faza parahetimore.
Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën ka autorizuar policinë për të mbledhur informata lidhur me dyshimet për manipulim me vota në Drenas.
Mbledhja e informatave nga policia është fazë paraprake e hetimeve.
“Marrë parasysh këtë rrethanë prokurori i shtetit sot ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Në Drenas rinumërimi përfundoj të dielën dhe rezultatet shpërfaqën që kandidatit të PDK-së, Fadil Demaku që vjen nga kjo komunë i janë shtuar 222 vota gjatë numërimit fillestarë. Në komunikatën e Prokurorisë thuhet që po përcjellin edhe rezultatet e komunave të tjera në regjionin e Prishtinës për të marrë vendime të ngjashme.
Rinumërimi ka përfunduar vetëm në Drenas dhe Graçanicë, ndërsa në Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Fushë-Kosovë dhe Obiliq procesi po vazhdon.
Të premten edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se ka autorizuar policinë për të mbledhur informata lidhur me manipulimet në Malishevë ku rinumërimi nxori në pah se kandidatit të PDK-së Gazmend Maliqajt i ishin shtuar mbi 900 vota gjatë numërimit fillestar. Dallime prej qindra votash mes dy numërimesh në Malishevë u gjetën edhe për kandidatë të tjerë të PDK-së, Vetëvendosjes, LDK-së, AAK-së dhe Nismës.
Edhe procesi rinumërimit në Gjakovë shpërfaqi dallime prej qindra votave për tre kandidatë, Adonjeta Zymberi-Selmanit dhe Hajdar Beqës të PDK-së, si dhe Agon Batushës të LVV-së.
Në Prokurorinë e Themelore në Gjakovë nuk treguan se a po hetohet edhe procesi i numërimit këtë komunë.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjakovë, në kuadër të kompetencave të saj ligjore është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore”, kanë thënë në përgjigje.
E Prokuroria Themelore në Pejë, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se qe një javë ka autorizuar policinë për mbledhje të informatave dhe janë në pritje të këtij institucioni.
“Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, me datë 19 janar ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave. Aktualisht jemi në pritje të gjeturave nga Policia e Kosovës në bazë të autorizimit të lëshuar nga Kryeprokurorja, ku pasi t’i pranojmë raportet nga Policia e Kosovës do ndërmerren veprimet e mëtutjeshme”, kanë thënë në prokurorinë e Pejës.
Në rinumërimin e 10% të kutive në Pejë, del se më së shumti vota që s’ia kanë dhënë qytetarët i janë shënuar kandidatit të PDK-së Xhavit Haliti – 34, i cili vjen nga kjo komunë. E 33 vota i janë shtuar kandidatit të Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi, i cili gjatë zgjedhjeve lokale ishte kandidat i kësaj partie për kryetar të Pejës.
Edhe Klina hynë në kompetencat e Prokurorisë së Pejës. Në këtë komunë më së shumti nga manipulimi me vota ka përfituar kandidatja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi me 201 vota.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka dhënë autorizim për mbledhje të informatave.
“Me datë 19 janar, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka autorizuar Policinë e Kosovës, Njësinë për Hetime Rajonale Jug dhe Veri, që të ndërmerren veprime të grumbullimit të informatave për këtë çështje. Deri tani nuk është intervistuar apo ndaluar ndonjë person”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Rinumërimi në Mitrovicën e Jugut ka shkuar në 25%, e deri tash përfituesi më i madh nga manipulimi me vota në këtë komunë është ish-kryetari Agim Bahtiri, kandidat i LVV-së me 54 vota.
Në katër komunat veriore procesi i rinumërimit ka përfunduar tërësisht. Kandidati që ka përfituar më së shumti nga manipulimi është Sërgjan Milosavleviq i Listës Serbe me 53 vota.
E në Vushtrri, edhe kjo komunë nën juridiksionin e Prokurorisë së Mitrovicës, përfituesi më i madh nga manipulimi gjatë numërimit fillestar është Sulejman Meholli, ish-kandidati i LVV-së për kryetar të komunës së Vushtrrisë.
Në Prokurorinë Themelore në Gjilan kanë thënë për KOHËN se autorizimin për mbledhje të informatave e kanë lëshuar të martën e javës që shkoi.
“Prokuroria Themelore në Gjilan me datë 20 janar 2026, bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, lidhur me rezultatet e rinumërimit të votave – manipulimet e mundshme me rezultatin zgjedhor në Komunat e regjionit të Gjilanit”, kanë thënë në përgjigje në pyetjet e KOHËS.
Në këtë komunë përfituesja më e madhe nga manipulimi është Arijeta Rexhepi e LVV-së me 40 vota. Në LDK prin ish-kandidati për kryetar komune, Arbër Ismajli me 31 vota. Ndërsa në PDK përfituesit më të mëdhenj janë Aurorë Osmani-Buca me 27 vota dhe ish-kandidati për kryetar nga kjo parti Riad Rashiti me 25 vota.
E në Viti, që bie nën kompetencën e Prokurorisë së Gjilanit, përfituesi më i madh nga manipulimi me vota është ish-kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të kësaj komune Arsim Ademi me 145 vota. Pas tij është kandidatja e LDK-së, Vjollca Kadolli-Halili me 139.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor të vitit që shkoi, ndërsa procesi i numërimit ka përfunduar më 3 janar. Por, më 13 janar, KQZ-ja filloi procesin e rinumërimit pasi një mostër prej 2% të votave të verifikuara shpërfaqi manipulime tek votat e kandidatëve.