Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka shpalosur programin e tij qeverisës para simpatizantëve të kësaj partie në Skenderaj. Aty ka premtuar rritje të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta në nivel prej 50 për qind. Për pensionistët kontributdhënës, Hamza premtoi përshkallëzim të pensioneve varësisht nga kontributet. Tha se do të rritet asistenca sociale për 50 për qind, si dhe të gjitha pensionet që jepen nga buxheti i shtetit
Rritje të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta në nivel prej 50 për qind premtoi kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza.
Në ditën e tetë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Hamza mbajti tubim në Skenderaj, nga ku premtoi kthimin e investimeve në këtë komunë.
“Nuk do të ketë situatë kur në Drenicë dhe Skenderaj do të ketë investime 0 nga niveli Qendror. Do të kthehen investimet në Drenicë dhe gjithandej Kosovës”, ka theksuar Hamza.
Gjatë shpalosjes së planprogramit qeverisës, në fokus pati veteranët, invalidët e familjet e dëshmorëve.
“Për të gjitha familjet e dëshmorëve, rritje të pensioneve prej 50 për qind. Do të marrin pensione aq sa ka dëshmorë një familje. 50 për qind rritje për invalidë të luftës dhe ju garantoj dhe siguroj trajtim shëndetësor sa herë që kanë nevojë brenda dhe jashtë institucioneve shëndetësore, pa qenë barrë për invalidët e luftës. Ata dhanë gjithçka për Kosovën. Ata dhanë edhe gjymtyrët dhe ne do t’iu qëndrojmë mbrapa. 50 për qind rritje për veteranët e luftës”, është zotuar Hamza.
Për pensionistët kontributdhënës, Hamza premtoi përshkallëzim të pensioneve, varësisht nga kontributet.
Duke e quajtur Drenicën vatër të heronjve, ai përmendi figura historike të kësaj treve.
Falënderoi edhe ish-liderët e kësaj partie: Hashim Thaçin e Kadri Veselin, por edhe Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, të cilët po gjykohen në Hagë.
Ai u shpreh i bindur se shumë shpejt do të lirohen.
Hamza ka shpalosur edhe zotimet kryesore si kryeministër i ardhshëm, si rritja e pagave, rritje të pensioneve, ulje të tatimit në pagë, ulje e TVSH-së për artikuj esencialë, heqje e TVSH-së për energji elektrike, formimin e fondit për bursa në arsim.
Ka thënë se do të rritet asistenca sociale për 50 për qind, si dhe të gjitha pensionet që jepen nga buxheti i shtetit.
U zotua edhe për rritje të pagave prej 50 për qind për mjekët, mësimdhënësit, policët dhe të gjitha kategoritë që paguhen nga shteti.
Për fushën e arsimit tha se është perspektiva dhe ekonomia e vendit, tek premtoi 30 milionë euro bursa për studentë që duan të përfundojnë shkollimin për t’u kualifikuar për tregun e punës.
“Do të krijojmë fondin për bursa 30 milionë euro në vit. Çerdhe gjithandej Kosovës, shëndetësi me pacientin në qendër, sigurimet shëndetësore dhe mbi të gjitha personat e moshuar, me sëmundje kronike i sigurojmë se do të kenë furnizim me barna pa pagesë”, tha Hamza.
Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, tha se nën qeverisjen e tij do të punojë për anëtarësim të vendit në NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare, njohje nga pesë vende anëtare të BE-së dhe anëtarësim në familjen e madhe evropiane.
Gjatë ditës së mërkurë, përmes një videoje Hamza premtoi edhe ulje të tatimit në paga. Pagat deri në 400 euro, sipas tij, nuk do të tatohen fare, ato nga 400 deri në 800 euro do të tatohen me 8 për qind, ndërsa ato mbi 800 euro me 10 për qind.
Hamza në një video tjetër ka prezantuar planin e tij për mbështetje sociale dhe arsimore, duke premtuar se askush nuk do të lihet pas.
Ai ka treguar se në programin e tij parashikohet krijimi i një Fondi për Papunësinë, themelimi i Gjykatës së Punës, si dhe 30 milionë euro në vit për bursa studentore dhe mbështetje për çdo qytetar.
“Me mua kryeministër, askush nuk do të lihet pas. Fond për Papunësinë, Gjykatë të Punës, fond 30 milionë euro në vit për bursa studentore dhe mbështetje për çdo qytetar”, ka theksuar Hamza.
PDK-ja në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit doli e dyta dhe siguroi 24 ulëse në Kuvend.