Zgjedhjet 2025

Cilat janë afatet për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve

vota

Foto: Driton Paçarada

Përmbyllja e procesit të numërimit të votave, në orët e para të mëngjesit të së premtes, i ka hapur rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare. Por, koha kur do të kumtohen rezultatet, diktohet nga ankesat eventuale që palët mund t’i bëjnë mbi procesin e zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të presë më së shumti 12 ditë, para se ta bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat janë zhvilluar më 28 dhjetor.

Janë afatet e ankesave ato të cilat duhet të shterën para se KQZ-ja të mund t’i kumtojë rezultatet.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ-ja është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka thënë Valmir Elezi, i cili është zëdhënës i KQZ-së.

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e pati në shqyrtim deri më tash vetëm një ankesë, atë nga Partia Demokratike (PDK) në lidhje me numërimin e votave nga mërgata. Por të premten atë e ka hedhur poshtë si të pasafatshme, pasi që ankesa është parashtruar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh.

Sipas PZAP-së, shkelja e supozuar ka ndodhur më datat 2 dhe 5 janar kur janë tërhequr pakot, ndërsa ankesa në PZAP është dorëzuar më 8 janar.

Ky institucion, sipas ligjit, ka kohë 72 orë që të vendosë për ankesën që e ka pranuar. E subjekti ankues ka edhe një mundësi apelimi.

“Vendimi i PZAP-së mund të ankimohet në Gjykatën Supreme të Kosovës, sikurse që PZAP-ja mund të rishikojë cilindo nga vendimet e marra, pas prezantimit të fakteve të reja nga pala e interesuar. Ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës mund të paraqitet brenda dyzet e tetë (48) orëve nga pranimi i vendimit të PZAP-së, në rast se gjoba e përfshirë është më e lartë se pesë mijë euro (5.000 €), ose në rast se çështja lidhet me një të drejtë themelore. Gjykata Supreme e Kosovës vendos në afatin prej pesë (5) ditësh nga paraqitja e ankesës”, thuhet në nenin 118 të Ligjit për zgjedhjet e Përgjithshme.

Shpallja e rezultateve përfundimtare, që bazuar në afate do të bëhet më së largu më 21 janar, e shënon edhe hapjen e një cikli tjetër të shqyrtimit të ankesave eventuale, para se të bëhet certifikimi i tyre.

Pas vendimit të KQZ-së, palët kanë kohë 48 orë që të ankohen për rezultatet përfundimtare, ndërsa PZAP-ja edhe 96 orë të tjera që të vendosë për to. Vendimi i PZAP-së mund të ankimohet edhe në Supreme.

“Personi fizik ose juridik, të drejtat ligjore të të cilit janë cenuar me vendimin e KQZ-së, sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, mund të parashtrojë ankesë në PZAP, brenda dyzet e tetë (48) orëve nga shpallja e tij. Ankesa vendoset nga PZAP brenda nëntëdhjetë e gjashtë (96) orëve, nga parashtrimi i saj”, specifikohet në nenin 106 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Numërimi i votave nga procesi zgjedhor i zhvilluar më 28 dhjetor është përmbyllur në orët e para të mëngjesit të së premtes. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), pasditen e së enjtes janë vlerësuar dhe janë numëruan 3 mijë e 185 pakot e fundit me fletëvotime, të ardhura nga jashtë.