Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2025

14 persona arrestohen për manipulim me vota në Kllokot

QNR Votat zgjedhjet

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

14 persona janë arrestuar e intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me dallaveret me vota në Kllokot. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se disa ishin kryesues e disa anëtarë të komisioneve numëruese në QKN. 

Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar.

“Me dyshimin e bazuar për falsifikim të rezultateve të votimit, më 06.02.2026 janë arrestuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarve 14 persona kryesues dhe anëtarë të komisioneve numërues në QKN- Kllokot. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar”, njoftoi PK në raportin 24-orësh.

Hetimet për manipulim me vota kanë nisur në disa komuna të Kosovës pas parregullsive që u vërejtën gjatë procesit të rinumërimit të votave në garën e kandidatëve për deputetë. Të premten në Komunën e Ferizajt u intervistuan dhjetëra zyrtarë, në Gjakovë Prokuroria ka kërkuar paraburgim për 22 persona derisa ditë më parë u paraburgosën edhe dhjetëra zyrtarë në komuna të tjera e dhjetëra u intervistuar, si në Prizren, Obiliq, Pejë, Podujevë, Malishevë.

Edhe 14 të arrestuar në Gjilan për falsifikim të rezultateve zgjedhore Zgjedhjet 2025 14 të arrestuar në Gjilan për falsifikim të rezultateve zgjedhore

Pas përfundimit të rinumërimit, më 31 janar, KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse. Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.